Tryeza e LDK-së - e butë, ‘nuk’ diskutohet shkuarja në zgjedhje

Dy orë e gjysmë diskutime të përfaqësuesve të partive politike për t’u pajtuar për një çështje: vazhdimin e takimeve të tilla që do të organizohen me rotacion nga të gjitha palët.

Kështu u tha nga të gjithë përfaqësuesit e partive politike të cilët folën pas tryezës “së butë” që u organizua nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Edhe pse mori mundin dhe i ftoi në takim, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa nuk mori pjesë në takim.

Takimi i sotëm u mbajt në “nivel të dytë”, pasi që i vetmi kryetar partie i pranishëm në tryezë ishte Gëzim Kelmendi i partisë Fjala.

Gazetarët nuk u lejuan të marrin pjesë në diskutimet ndërmjet përfaqësuesve të partive politike.

Isa Mustafa para disa ditës u kishe nisur letër kryetarëve të partive ku i kishte ftuar në takim për diskutuar për çështjet e mëdha dhe për caktimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Mirëpo as Mustafa e as krerët e partive tjera politike, përjashto Gëzim Kelmendin nuk morën pjesë.

Mirëpo kërkesat e takimit që i kishte shprehur në letrën e tij Isa Mustafa, sipas të pranishëm nuk janë përfillur në këtë takim.

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu pas takimin tha që nuk kanë diskutuar për zgjedhjet e parakohshme, ani pse vet Mustafa kishte kërkuar diçka të tillë.

Ai gjeti kohë ti falënderoj të gjitha partitë politike që u bënë pjesë e kësaj tryeze dhe njoftoj se vendimi i vetëm që kanë marrë është që këto takime të vazhdojnë.

“Secila e ka dhënë qëndrimin e vet për problemet aktuale edhe ne jemi marrë vesh me fillu me një rotacion nga subjektet që janë të interesuara me organizu tryeza politike”, tha në mes tjerash Veliu.

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca nuk preferoi të flasë para mediave.

Ndërsa Memli Krasniqi, shef i deputetëve të PDK-së, që sipas marrëveshjes së arritur sot, do të jenë nikoqir të takimit të ardhshëm tha se nuk është diskutuar për zgjedhje, por potencoi se PDK-ja është e gatshme për t’i hyrë këtij procesi nëse kështu vendosin partitë e tjera

“Kemi dashtë me tregu qe nuk është rendi i zgjedhjeve. Nuk kemi nevojë për zgjedhje te parakohshme dhe ky është qëndrim i PDK-së. Mirëpo nëse i kanë numrat me çu vendin një zgjedhje, ne jemi të gatshëm”, tha në mes tjerash Krasniqi.

Ai gjithashtu tregoi se gjatë takimit të sotëm është diskutuar për themelimin e ushtrisë, procesin e dialogut, themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe për reformën zgjedhore.

Ndërsa, shefi i grupit të deputetëve të pavarur, Dardan Sejdiu e pranoi se kanë diskutuar për zgjedhjet.

“Në takim u diskutuan të gjitha temat, përfshi edhe zgjedhjet e parakohshme”, tha Sejdiu pa dhënë detaje tjera.

Situatën momentale në politikën vendore Sejdiun po e cilëson si telashe.

“Kemi telashe, kemi qeveri që si ka numrat dhe kemi një opozitë që si ka numrat me cu vendin në zgjedhje”, tha tutje Sejdiu pas takimit.

Ndërsa deputeti i Alternativës, Ilir Deda kërkoi që subjektet politike në Kosovë t’i kthehen traditës.

“Duhet t’i kthehemi traditës së politikës shqiptare që është për të pasur konsensus për tema të mëdha”, tha Ilir Deda që kërkoi që këto takime të ndodhin më shpesh sesa një herë në javë.

Ndërsa Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokratike mendon që vendi nuk duhet të shkoj në zgjedhje për shkak se kjo qeveri sa ka filluar punë në dhe duhet t’i jepet kohë.

Takimi i ardhshëm pritet të organizohet nga Partia Demokratike e Kosovës.