Presidentja Atifete Jahjaga

Ftesa e Jahjagës- Mbështetje Ndërkombëtare, Refuzim Opozitar

Ftesa e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, për t’i mbledhë bashkë liderët politikë të Kosovës në një tavolinë në përpjekje për të gjetur një rrugëdalje nga kriza politike është pritur në mënyra të ndryshme.

Diplomatë ndërkombëtarë i kanë dhënë mbështetje Presidentes në këtë iniciativë, e cila mund të jetë përpjekja e fundit e saj për shkak se ka hyrë në dy muajt e fundit të mandatit.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, bëri thirrje për gjetjen e një gjuhe të përbashkët nga ana e liderëve.

“E mbështes iniciativën e Presidentes së Kosovës për t’i ftuar liderët politikë në takim të hënën. Liderët e Kosovës duhet ta gjejnë gjuhën e përbashkët”, ka shkruar Ambasadori Delawie në Twitter.

Dy blloqet politike në Kosovë janë duke qëndruar në pozicione të kundërta që nga fundi i verës së vitit të kaluar për shkak se kërkesa e opozitës që qeveria t’i tërheqë nënshkrimet nga marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi është shpërfillur nga qeveria.

Tash opozita po kërkon që qeveria të japë dorëheqje, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila tha se shumë pika të marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

Rekomandimi që liderët t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së Jahjagës erdhi edhe nga Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar.

“Në interes të Kosovës dhe popullit të saj, unë u bëj thirrje partive politike që të tregojnë përgjegjësi dhe t’i përgjigjen ftesës pozitivisht. Unë e përgëzoj Presidenten për aftësinë politike që ka demonstruar duke ndërmarrë këtë iniciativë”, tha Zhbogar.

Por apelet për pjesëmarrje në takim nuk e kanë bërë Vetëvendosjen të ndryshojë mendje nga qëndrimi refuzues.

Frashër Krasniqi, zëdhënës i Vetëvendosjes, tha se “problemi politik në Kosovë ka nisur nga nënshkrimi i dy marrëveshjeve shumë të dëmshme për Kosovën”.

“Jemi kundër dhe nuk do t’i përgjigjemi pozitivisht ftesës së Presidentes”, tha ai.

Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka bërë që Qeveria e Kosovës ta humbë edhe legjitimitetin popullor.

“Zgjidhja e problemit është tek dorëheqja e Qeverisë. Nuk ka kuptim të ketë çfarëdo bisedash, nëse Qeveria e Kosovës vazhdon insistimin që të qëndrojë në pushtet, përkundër që e ka shkelur Kushtetutën dhe e ka humbur legjitimitetin popullor”, u shpreh zëdhënësi i Vetëvendosjes.