Deputetët e Akuzuar e Quajnë Politike Aktakuzën

Katër deputetët e opozitës që dolën sot para gjykatës, e quajtën politike aktakuzën e ngritur për hedhje të gazit lotjsellës në seanca të Kuvendit të Kosovës gjatë sesionit vjeshtor, ndërsa u arsyetuan se veprimet e tyre kanë qenë gjithashtu politike.

Ata zgjodhën që mbrojtjen e tyre ta përqendojnë duke u arsyetuar se këto i kanë bërë për t’i kundërshtuar marrëveshjet kontestuese të cilat, sipas tyre, janë në kundërshtim me interesat shtetërore të Kosovës.

Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli të Vetëvendosjes dhe Donika Kadaj-Bujupi e AAK-së dolën sot para gjyqtarit lidhur me akuzat për hedhje të gazit në Kuvendin e Kosovës.

Kurti, Haxhiu, e Kadaj- Bujupi nuk deshën të deklarohen e as të mbrohen në heshtje, ndërsa Topalli u deklarua i pafajshëm.

Avokatët e të akuzuarve para leximit të akuzës patën vërejtje në prokuroren Fikrije Fejzullahu për shkak të mos dorëzimit të CD-je si provë, ndërsa gjyqtari pranoi vërejtjet e avokatëve dhe urdhëroi prokurorinë që sa më shpejt t’ia dorëzojë atë mbrojtjes.

Pas kësaj prokurorja Fikrije Fejzullahu lexoi aktakuzën që rëndon mbi  katër deputetët e opozitës.

“Të akuzuarit Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu e kanë përdorur armën pa autorizim në atë mënyrë që 8 tetor 2015 rreth orës 11 e 45 minuta, në sallën e Kuvendit të Kosovës, në cilësinë e deputetëve nga Vetëvendosje pasi ka filluar seanca kanë hedhur gaz lotsjellës me ç’rast qëndrimi i deputetëve për të vazhduar seancën është pamundësuar nga dhe të njëjtit janë detyruar të largohen nga salla dhe me këtë rast deputete Flora Brovina dhe Blerta Deliu-Kodra kanë pësuar lëndime të lehta dhe me këtë rast secili veç e veç kanë kryer veprën penale përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm të parashikuar me Kodin Penal të Kosovës”,  tha Fejzullahu.

Fejzullahu i ngarkoi Kurtin e Haxhiun gjithashtu edhe me veprën penale të pengimit të personit zyrtar duke përfshirë kryetarin e Kuvendit dhe gjithë personat e tjerë zyrtar të cilët, sipas aktakuzës, janë detyruar t’i ndërprenë punimet dhe te largohen nga salla si pasojë e veprimeve të deputetëve të opozitës.

Prokurorja Fejzullahu, lexoi akuzën edhe për të akuzuarit tjerë, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi.

“Të pandehurit Donika –Kadaj Bujupi dhe Faton Topalli kanë përdorur armën pa autorizim në atë mënyrë që me datë 15 tetor 2015 rreth orës 10 e 30 minuta në sallën e Kuvendit të Kosovës, pasi që paraprakisht janë pajisur me boca me gaz lotësjellës, të njëjtat i kanë hedhur brenda sallës ku gjendeshin deputetët dhe personat e tjerë zyrtar të Kuvendit, ashtu që nga tymi i liruar është pamundësuar qëndrimi i tyre dhe kështu detyrohen të largohen nga salla ndërkaq puna e paraparë pengohet dhe kështu kanë kryer veprën penale përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm i Kodit Penal të Kosovës”, tha Fejzullahu.

Lidhur me akuzat e prokurorisë, Albin Kurti nuk deshi të deklarohet lidhur me fajësinë, sidoqoftë ai u deklarua lidhur me akuzën.

“Para se të deklarohem për fajësinë, unë duhet t’i them disa fjalë, sepse i lexoi pesë faqe zonja Prokurore. Unë nuk kam avokat timin, ju gjyqtarë duhet të kujdeseni për drejtësinë, nuk është korrekte që të kërkohen dy shkronja për pesë faqe. Ju nuk po keni respekt ndaj meje”, tha Kurti.

As Albulena Haxhiu e Donika Kadaj-Bujupi nuk u deklaruan rreth akuzave, ndërsa Faton Topalli u deklarua i pafajshëm.

Avokatët mbrojtës të Albin Kurtit, Albulena Haxhiut e Faton Topallit patën kërkesa që të mbrojturve të tyre t’u hiqet masa e arrestit shtëpiak, por kjo nuk u mor parasysh nga gjyqtari.

Pas përfundimit të seancës, Albin Kurti tha se ky gjykim nuk është i drejtë.

“Ky është një gjykim i padrejtë në një shtet të kapur, në një regjim autoritar dhe ne nga ky proces nuk presim asgjë por nga opozita e bashkuar presim gjithçka dhe aty është zgjidhja sepse në Kosovë nuk ka zgjidhje brenda këtyre institucioneve të drejtësisë që praktikisht po u vazhdojnë punën ekzekutivit”, tha Kurti.

Edhe Donika Kadaj-Bujupi tha se ajo dhe kolegët e saj nuk janë në kundërshtim me ligjin dhe kundërshtoi aktakuzën.

“Ne si deputetë nuk jemi në konflikt me ligjin, por me dy marrëveshje të dëmshme që po e shkatërrojnë vendin dhe këtë e tha së fundmi edhe Gjykata Kushtetuese, prandaj të gjitha veprimet tona kanë qenë në mbrojtje të kushtetutës, në mbrojtje të shtetit, të sovranitetit të vendit tonë”, tha Kadaj -Bujupi.

Seanca e radhës do të mbahet më 15 shkurt.