Bukuria Pa Bërllok

Gryka e Rugovës për disa ditë do jetë e pastër dhe pa bërllok në çdo cep të rrugës. Qindra thasë me mbeturina janë mbushur në 5 kilometrat rrugore të gjatësisë së saj.

Aksioni i pastrimit është zhvilluar nga “Marimangat e Pejës”, anëtarë të shoqatave tjera dhe qytetarë vullnetarë.

Granit Gashi, anëtar i shoqatës alpiniste “Marimangat e Pejës”, tha për KALLXO.com se nuk mjafton aksioni i organizuar nëse të tjerët hedhin përsëri mbeturina.

“Po shpresojmë që t’i reduktojmë [mbeturinat] për shkak që mbledhja prej  një ane dhe hedhja prej anës tjetër nuk është ndoshta duke jep frytin e vet. Hapësira për momentin është në pastrim e sipër, po kjo është duke ju falënderuar edhe aksioneve të mëhershme që i kemi pasur. Besoj shumë që me pasë lënë vendin që 5 vjet që jemi duke e pastruar ish kanë si deponi e madhe anash rrugës,” tha Gashi.

Gashi njoftoi se aksioni i pastrimit është bërë i mundur nga përfitimet prej fluturimit me litar nëpër bukuritë e Grykës së Rugovës nëpër shtegun e njohur si “Zip-line”.

Për këtë atraksion turistik të Rugovës KALLXO.com shkroi dje.

http://kallxo.com/litar-mbi-bukurite-e-grykes-se-rugoves/

Aksionit të “Marimangave…” iu përgjigj edhe Shoqata e Peshkatarëve “Trofta”.

Eroll Grapci nga kjo shoqatë tha për KALLXO.com se kishte shumë bërllok.

“Bërllog ka shumë, shumë në sasi të madhe. Vetëm tek kilometri i 5-të kemi arritur t’i grumbullojmë diku 35-40 thasë bërllog, vetëm tek i 5-ti aty ku ma së shumti rrinë njerëzit, familjaret vijnë, hajnë, ushqehen edhe gjuajnë bërllogun. Gjuajnë pampersa, gjithçka,” tha Grapci.

Istref Zajmi, një pejan që iu bashkua aksionit tha se qytetarët duhet të jenë më të vetëdijshëm për ruajtje të ambientit.

“I kisha thirrë gjithë qytetarët e Pejës, po jo vetëm Pejës po krejt Kosovës se në rast se vijnë në këtë ambient për ta shfrytëzuar, ju lutem mos hidhni mbeturina se ato vetëm ndotin ambientin dhe janë problem për të gjithë ne,” tha ai.

Ndërsa Eroll Grapci nga “Trofta” nuk pret që gryka të mbetet e pastër për shumë kohë.

“Do ditë ka me konë mirë, po ma merr mendja mbas një jave, nëse dalim këtu vikendin e ardhshëm, prapë këtu berllog. Po le të gjuajnë, pa problem le të gjuajnë, ne prapë dalim e pastrojmë,” tha ai.