Aktakuzë për Përkrahje të ISIS-it Përmes Facebook-ut

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur sot aktakuzë ndaj të pandehurit me iniciale K.P nga Komuna e Lipjanit për veprën penale “bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj”

Sipas aktakuzës, i pandehuri K.P. gjatë vitit 2017 në vazhdimësi përmes rrjetit social facebook nga llogaria e tij me anë të postimit të xhirimeve audio-vizuele dhe fotografive ka bërë propagandim në lidhje me organizatën terroriste ISIS.

Prokuroria në aktakuzë thotë se K. P. ka përkrahur haptazi veprimet terroriste të ISIS-it siç janë sulmet e fundit terroriste nëpër botë si dhe krijimin e shtetit islamik, e që gjatë muajit nëntor të vitit 2017 në llogarinë e tij sociale facebook ka shpërndarë fotografi kërcënuese.

Sipas Prokurorisë Speciale, me këto veprime i pandehuri K. P. ka kryer veprën penale bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

KALLXO.com ka raportuar muaj më parë lidhur me paraburgimin e K.P. që dyshohet se është vëllai i një të vrari në Siri.