Akademi Përkujtimore për të Pagjeturit e Klinës

Në përvjetorin e 17-të të Masakrës së Kralanit, Komuna e Klinës ka organizuar një akademi përkujtimore në nderim të të vrarëve dhe të personave të pagjetur të kësaj komune.

Më 4 prill 1999, në fshatin Kralan të Gjakovës, forcat policore, paramilitare e ushtarake serbe kishin ndalur 87 persona nga komuna e Klinës.

Gjatë masakrës së kryer në këtë fshat besohet se të gjithë këta persona janë ekzekutuar. Edhe sot e kësaj dite nuk dihet për fatin e shumicës së tyre. Ata konsiderohen persona të pagjetur.

Në një fjalë rasti në akademinë përkujtimore, kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, deklaroi se martirët dhe personat e pagjetur janë themel i pavarësisë së vendit.

“Nuk kam shumë dëshirë t’i quaj të pagjetur, sepse nuk e di kush është më i gjetur sesa ata që janë themeli i pavarësisë së këtij vendi”, tha Bashota.

Ndërsa, kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Prenk Gjetaj, theksoi se Kosova ka nevojë edhe për presionin ndërkombëtar mbi palën serbe për ta detyruar që të zbardhë fatin e personave të pagjetur.

“Vërtetë duhet edhe përkrahje sidomos e faktorit ndërkombëtar, në radhë të parë përfaqësuesit e familjeve (të personave të pagjetur), edhe unë jam bërë si zëdhënësi i tyre, që të bëhet trysni ndaj palës e cila ka bërë krime”, theksoi Gjetaj.

Në anën tjetër, Ramë Manaj, përfaqësues i familjarëve të personave të pagjetur, shprehu shqetësimin e tij në lidhje me mosangazhimin adekuat nga organet shtetërore në lidhje me mbetjet mortore të personave të pagjetur.

“Me ketë fat, deshëm apo nuk deshëm, duhet të pajtohemi, ose thënë më saktë, duhet të jemi të pajtuar. Mirëpo, ajo që nuk mund të pajtohemi është mosgjetja e trupave mortore të tyre (të zhdukurve)”, u shpreh Manaj.

Në sallë u shfaq edhe një video 10-minutëshe me emrat e personave të zhdukur nga kjo komunë.

Përveç në Masakrën e Kralanit, 13 banorë civilë të Komunës së Klinës janë vrarë nga forcat serbe në masakrën e Pastaselit. Ndërsa, 35 të tjerë janë vrarë e zhdukur në qytetin e Klinës, në Gjurgjevik, Jashanicë, Ujmir, Dush e Izbicë.