Më 26 Shtator Votohet për Kosovën në Interpol

Më 26 shtator do të votohet për anëtarësimin ose jo të Kosovës në organizatën e Interpolit.

Kryeministri në largim, Isa Mustafa do të jetë i pranishëm më 26 shtator në Pekin, në asamblenë e Interpolit, ku në rend të ditës është paraparë të jetë pranimi i Kosovës në Interpol.

“Jemi në proces të harmonizimit të aktivitete. Anëtarësimi nuk varet nga ne, varet nga anëtarët e tjerë të Interpolit. Në Komitetin Ekzekutiv të Interpolit janë edhe disa anëtarë të atyre shteteve që se kanë njohur Kosovën. Ne duhet të jemi optimistë dhe të punojmë së bashku që vendimi përfundimtar të jetë vendim në përkrahjen tonë”, tha Mustafa sot gjatë ditës në mbledhjen e Qeverisë.

Ndërsa ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni tha se përveç Kosovës janë edhe 2 shtete tjera që kanë aplikuar për anëtarësim. Sipas tij, nevojiten 2/3 e votave për t’u bërë pjesë e Interpolit.

“Janë 3 vende aplikuese për anëtarësim në Interpol. Pranimi bëhet me 2/3 e votave të pjesëmarrësve të pranishëm. Neve na bënë optimisti fakti që komiteti ekzekutiv i Interpolit qe përbehet 50/50 me vende që na njohin dhe vende që s’na njohin kanë vendosur me unanimitet që ta fusin në agjendë, aplikacionin e Kosovës”, tha Hyseni.

http://kallxo.com/endrra-e-kosoves-per-interpolin-mund-te-deshtoi/

Sipas tij, tani Kosovës duhet të bëjë punë të madhe duke kërkuar vota.

“Mbetet të bëhet punë e madhe që të kërkohen votat. Nuk mund të kërkojmë vota nëse nuk besojmë në objektivin që e kemi përcaktuar si shtet. Nuk mund të japim garanci se do të ndodhë kështu apo ashtu, por nga takimet që i kam pasur deri më tani, çështja e anëtarësimit të  Kosovës në Interpol do të trajtohet si çështje teknike e bashkëpunimit ndërkombëtar policor për të luftuar krimin. Kjo mbase do t’i bëjë shtetet anëtare të shohin edhe interesin e tyre të veçantë, që Kosovën ta kenë në Interpol, që mund të jap informata, por edhe të marrë informata, të bëjë këmbim informacioni”, tha tutje Hyseni.

Analisti i çështjeve të sigurisë, Florian Qehaja ditë më parë kishte thënë se pranimi i Kosovës në Interpol ka pak gjasa të ndodhë.

Ndërkohë, Serbia ka kundërshtuar aplikimin e Kosovës në këtë organizatë.