Zyrtarët e Ministrisë së re, nuk e dinë se borxhet duhet të raportohen në Ministrinë e Financave

Ministria e re, e krijuar në një nga qeveritë më të mëdha të Kosovës si duket nuk ia ka marrë ende dorën punës në qeveri.

Ministria e Zhvillimit Rajonal e krijuar në vitin 2017 në qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj ka kaluar nën kontrollin e auditorit të përgjithshëm për herë të parë për një vit të plotë.

Në Ministrinë e re auditori gjeti  se pranimi i faturave nuk ishte bërë siç e parashihte rregullorja. Përveç kësaj, për shkak se zyrtarët nuk e dinin,  kjo ministri nuk kishte raportuar borxhet e veta te Ministria e Financave

Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për Ministrinë e MZhR, ky dikaster nuk kishte pranuar faturat siç e parasheh rregulla financiare

“Nga gjithsej 36 pagesa të testuara nga mallrat dhe shërbimet si dhe investimet kapitale në vlerë 1,550,914€, kemi vërejtur se faturat nuk janë protokoluar dhe as nuk është shënuar numër rendor i protokolit. Pranimi i faturave nga ministria bëhej duke shënuar datën e pranimit dhe nënshkrimin nga zyrtari i arkivës. “, thuhet në të gjeturën e raortit.

Tutje në raport thuhet se në tri raste, faturat nuk ishin raportuar në MF si obligime të papaguara të muajit paraprak. Ministria kishte raportuar obligimet e saj të papaguara vetëm në muajin janar dhe jo në muajt pasues.

Auditori tregon se këto mangësi kishin ndodhur për shkak se zyrtarët përgjegjës nuk kishin informacionin e duhur mbi procedurat për pranimin e faturave si dhe kërkesave për raportim të obligimeve, të përcaktuara me rregulla të Thesarit.

Auditori përmend bazën ligjore e cila e rregullon këtë fushë

“Bazuar në nenin 24 të Rregullës Financiare 01/2013, Shpenzimi i Parave Publike, kërkohet që fatura e cila pranohet duhet të protokolohet dhe të evidentohet në librin e faturave. Njëkohësisht, sipas nenit 5 të Rregullës Financiare nr. 02/2013/MF për Raportimin e Obligimeve të Papaguara, të gjitha organizatat buxhetore, janë të obliguara që të raportojnë obligimet e papaguara përmes raporteve mujore në Ministrinë e Financave. “, përmend Auditori

Mos protokollimi i faturave me rastin e pranimit, sipas Auditorit e rrit rrezikun që faturat të mos evidentohen me rregull dhe të shkaktohen vonesa në pagesën e tyre. Ndërsa mos raportimi i obligimeve të papaguara, ndikon në pasqyrimin jo të saktë të obligimeve të ministrisë.

Ministrit të këtij dikasteri iu rekomanduar t’i ndërmerr veprimet për trajnimin dhe informimin e stafit për rregullat.

“Ministri të siguroj së janë ndërmarrë veprimet e nevojshme lidhur me informimin apo trajnimin e stafit sa i përket rregullave të Thesarit dhe të sigurojë zbatimin e një procesi të rregullt të evidentimit të faturave dhe raportimit të rregullt të obligimeve të papaguara. “, rekomandon Auditori.

Ndaj këtij raporti përmes letër konfirmimit të Ministrisë së MZhR-së, konfirmohet se është pranuar raporti i auditimit për pasqyrat financiare të vitit 2018-të.

Me anë të kësaj letre, Ministria pajtohet më këto të gjetura duke mos komentuar ato.

“Pajtohem me të gjeturat dhe rekomandimet dhe nuk kamë ndonjë koment për përmbajtjen e raportit…”, thuhet në mes tjerash në letrën konfirmuese.