Debat Pernime për Klinën. Foto: Atdhe Mulla

Zotimet për Klinën

Gjashtë kandidatë që sivjet garojnë për udhëheqjen e Komunës së Klinës kanë shpalosur idetë e tyre për qeverisje pas zgjedhjeve të 22 tetorit.

Avni Gashi nga Aleanca Kosova e Re u zotua për menaxhim efikas të buxhetit komunal si pjesë e programit për zhvillim ekonomik të kësaj komune.

“Me qeverisjen lokale të AKR-së synojmë që të rrisim standardin e jetës fillimisht duke mirë menaxhuar paranë publike aty ku janë edhe problemet kryesore. Zhvillimin ekonomik, bujqësisë, zhvillimin urbanistik, arsimim cilësor dhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore.” tha Gashi.

Në DebatPernime, Besim Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se fokusi i qeverisjes së tij do të jetë transparenca dhe barazia.

“Parimet bazë do të jenë rritja e përgjegjësisë dhe transparencës, respektimi i rregullave dhe procedurave demokratike, respektimi i lirive dhe të drejtave të njeriut. Ne do të angazhohemi për një administratë në shërbim të qytetarëve, do të angazhohemi në ngritje të cilësisë në arsim dhe shëndetësi”, tha Hoti.

Në anën tjetër, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Iber Elezaj konsideroi që nëse merr qeverisjen do të ketë fokus përmirësimin e gabimeve të qeverisjes së kaluar.

“Do të fokusohemi në ato projekte të cilat janë kryer por që janë me defekte, të papërfunduara ose të punuara keq. Për ne është shumë i ngutshëm të bëhet lëvizja në qytet, është bërë tmerr”, tha Elezaj.

Arsimi është prioritet mbi të gjitha fushat tjera sipas Nezir Gashit, kandidat nga Nisma për Kosovën.

“Programi ka në fokus avancimin e arsimimit dhe sigurinë në shkolla, rritjen e sigurisë në investime dhe për bujqit dhe biznesit. Nisma do të jep mundësi të barabarta për njerëz që kanë ide”, tha Gashi.

Ndërkaq, Sokol Bashota, Kryetar aktual nga Partia Demokratike e Kosovës  hodhi poshtë kritikat nga kundër kandidatët për qeverisje të keqe në Klinë.

“Unë si kryetar tash e 10 vite kam krijuar profil duke rritur gamën e investime, me rregullimin e infrastrukturës, duke i dhënë prioritet shkollave, 250 kilometra rrugë të asfaltuara. Kemi administratë funksionale.”, tha Bashota.

Përballë Jeta Xharrës, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Zenun Elezaj premtoi përmirësim të shërbimeve publike dhe nevojave elementare për banorët e Klinës.

“Do të kontribuojmë për Klinën për një qeverisje efikase, të ketë zhvillim punësim, ujë pa ndërprerje për qytetin dhe fshatrat, trajtim të ujërave të zeza, do të bëjmë riorganizim të administratës. Do të ketë fillim të qeverisjes elektronike”, tha Elezaj.