Teuta Arifi, BDI, Tetove. Foto: Atdhe Mulla

Teuta Arifi: Përfundimisht, Shkolla në Reçicë do të Ndërtohet

Kandidatja e BDI-së për kryetare të Tetovës, Teuta Arifi, premtoi në Debat Pernime se në këtë mandat, përfundimisht do ta ndërtojë një shkollë të re në fshatin Reçicë të kësaj komune.

Këtë shkollë, Arifi e ka premtuar edhe më herët, por ajo nuk është bërë ende. Ajo u arsyetua në çështje të buxhetimit për mospërmbushjen e premtimit.

TeutaArifi është kryetare aktuale e komunës, e votuar në zgjedhjet e kaluara lokale t vitit 2013.

Ajo tha se gjatë mandatit që po përfundon, është punuar intensivisht për ujin dhe çështje tjera infrastrukturore prandaj “kërkojmë mandatin në vazhdimësi”.

“Tetova ka ujë të pijshëm, nuk ka mbeturina në hyrje dhe nuk ka tym të Jugokrom. Ky është starti”, tha Arifi.

“Prioritet do të jetë trajtimi i ujërave të zeza me dy kolektorë, zhvillimi infrastrukturor dhe hapja e bulevardeve. Në kuptimin zhvillimor kemi degasifikimin e qytetit duke u dhënë përparësi objekteve publike. Me këtë ulet ndotja e ambientit”, tha ajo.

“Për ne me shumë vlerë është rregullimi i shtretërve të lumenjve pas vërshimeve të vitit 2015”, premtoi Arifi.

Në këtë debat marrin pjesë Adnan Neziri (Aleanca për Shqiptarët), Bardhyl Dauti (Partia Demokratike Shqiptare), Bilall Kasami (Lëvizja BESA) dhe Teuta Arifi (Bashkimi Demokratik për Integrim).

Pjesëmarrjen e ka refuzuar kandidatja e VMRO-së, Nermin Telovska.

Debatet do të transmetohen në TV ART CHANNEL nga sot deri më 7 tetor.

Në kuadër të këtyre debateve, shikuesit do të njihen me ofertën politike të kandidatëve për komunat Çair, Saraj, Tetovë, Strugë, Gostivar, Dibër dhe Kërçovë.

Qytetarët mund të dërgojnë pyetje për kandidatët përmes platformës online në KALLXO.com, aplikacionit mobil të KALLXO.com si dhe në Facebook të KALLXO.com.

Debatet organizohen në partneritet të KALLXO.com me PortalbVërtetëmatës/VistinomerArt Channel dhe BIRN Maqedonia.