Sokol Bashota dhe Iber Elezaj Përqeshin Shkollimin e Njëri-Tjetrit

Kryetari aktual i Komunës së Klinës, Sokol Bashota dhe kundërkandidati i tij Ibër Elezaj kanë drejtuar kritika të ndërsjella sa i përket shkollimit.

Fillimisht në Debat Pernime, Bashota nga Partia Demokratike e Kosovës iu drejtua Elezajt nga Lëvizja Vetëvendosje me epitetin ‘student i përhershëm’, duke nxitur reagim nga ky i fundit.

Elezaj pa sqaruar në detaje domethënien e fjalisë iu kundërpërgjigj kandidatit me një akuzë tjetër për të njëjtën çështje.

“Sa të jam gjallë kam me studiu, Sokol Bashota ka bërë 9 vite me kry shkollën e mesme”, tha Elezaj.

Më pas të dy këta kandidatë vazhduan me kritika mbi veprimtarinë e tyre atdhetare gjatë dhe pas luftës.

Në debatin për Klinën morën pjesë Avni Gashi (AKR), Besim Hoti (LDK), Iber Elezaj (LVV), Nezir Gashi (NISMA), Sokol Bashota (PDK) dhe Zenun Elezaj (AAK).