Mimoza Kusari Bën Koalicion me VV-në, LDK-në dhe AKR-në

“Bashkë për Gjakovën” quhet koalicioni i sapozyrtarizuar në Gjakovë në mes të Alternativës, Lëvizjes Vetëvendosje, LDK-së dhe AKR-se, për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale të 19 nëntorit.

Me këtë rast, në një konferencë për media, kandidatja për kryetare të Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, bashkë me kryetarët e degëve të këtyre partive, kanë shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar në katër vitet e ardhshme në bashkëqeverisje, “në mënyrë që Komuna e Gjakovës të vazhdojë rrugëtimin e zhvillimit në të mirë të gjithë banorëve dhe qytetarëve të saj”.

“Kandidatja për kryetare të Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari Lila, ka thënë se ky bashkim i shërben të ardhmes së Gjakovës për katër vitet e ardhshme, “përmes objektivave tona të përbashkëta programore si forca progresive politike”, thuhet në komunikatën për media të lëshuar nga Alternativa në Gjakovë.

Nga ana tjetër, deputeti I Kuvendit të Kosovës, Driton Çaushi, ka deklaruar se jemi para një date të rëndësishme të Komunës së Gjakovës, e cila ditë është një udhëkryq në mes të një qeverisje potenciale dhe një rreziku tjetër që duhet me çdo kusht të parandalohet.

Edhe Kryetari I degës së LDK-së në Gjakovë, Luan Gola, ka konfirmuar përkrahjen për kryetaren Mimoza Kusari Lila, duke thënë se me bashkimin e këtyre subjekteve, qytetarëve të Komunës së Gjakovës u ofrohet një qeverisje edhe më e mirë për katër vitet e ardhshme.

Ndërsa, kryetari i Degës së AKR-së në Gjakovë, Edmond Dushi, ka vlerësuar se me Alternativën si subjekt liberal mund të kontribuojnë edhe ne realizimin e pikave programore të AKR-së.

Kryetarja Mimoza Kusari Lila dhe koalicioni “Bashkë për Gjakovën”, njëzëri i kanë bërë thirrje qytetarëve të Komunës së Gjakovës, që në mënyrë masive të dalin në zgjedhjet e 19 Nëntorit.