Albin Kurti në mesin e të rinjve - Foto: Facebook

Kurti: Do ta Ulim Moshën e Votuesit nga 18 në 16-Vjeç

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot një takim me të rinjtë e partisë dhe me ata që do të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje.

Kandidati për kryeministër Albin Kurti tha se në qeverisjen tij do të ulet pragu i atyre që do të votojnë, nga 18 vjeç sa është tash në 16 vjeç.

“16 vjeçët nuk kanë të drejtë vote, por kanë të drejtë pune. Kur duhet me votu, i thonë: “Jo se je i mitur”, a për të punuar ata kanë të drejtë, a për të vendosur jo, se je i mitur. Këta duhet të kenë të drejtën e votës sepse kjo lidhet direkt me jetën e tyre”, tha Kurti.

Ai shtoi se është vetëm një ditë nga 4 vjetët ku politikanët nuk vendosin.

“Politikanët vendosin çdo ditë për 4 vjet, ata nuk vendosin vetëm një ditë, ata nuk vendosin në ditën e zgjedhjeve. Në atë ditë vendosin qytetarët, vendosni ju, vendos rinia”, tha mes tjerash Kurti.

Ai e ka marrë si shembull qeverisjen në Prishtinë për të treguar se çfarë lloj qeverisjeje do të jetë me Vetëvendosjen në pushtet.

“Të gjitha gjërat e mira që i kemi bërë në Prishtinë do t’i bëjmë gjithandej komunave të Kosovës, e gjërat e këqija që i kemi ndalur në Prishtinë, do i ndalim në të gjitha komunat e Kosovës”, tha Kurti.

Sipas tij, në krijimin e Ushtrisë më së shumti vend do të ketë rinia.

Ndërsa nënkryetari i Komunës së Prishtinës dhe kandidati për deputet, Dardan Sejdiu, nisi fjalimin e tij duke I përshëndetur kandidatët për deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët janë në arrest shtëpiak për shkak të aktakuzës së ngritur kundër tyre lidhur me sulmin ndaj Kuvendin të Kosovës.

Ai ka kujtuar protestën e parë ku ai kishte marrë pjesë.

“Në nëntor të vitit 1997, kur unë isha në vitin e parë, ishte protesta ime e parë, e në atë protestë printe Albin Kurti. Disa prej juve në atë kohë as nuk kishit lindur”, tha Sejdiu.

Ai ka kërkuar nga rinia që të mobilizohen në mënyrë që të fitojnë zgjedhjet më 11 qershor.

“Rinia duhet të angazhohet, mobilizohet, të flet me shokë e shoqe, me komshinjtë, familjarët, që të bëjmë ndryshimin e madh, që të bëjmë që njëherë e përgjithmonë të vetëvendosim dhe njëherë e përgjithmonë të sjellim një qeveri që punon për ne”, tha Dardan Sejdiu.