Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ilazi: Kemi mungesë të mjekëve në Kaçanik, i kemi veç 12

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Kaçanikut Besim Ilazi, tha në Debat Pernime se qyteti në të cilin ai kërkon edhe një mandat ballafaqohet me mungesë të mjekëve, derisa shton se momentalisht i kanë vetëm 12 mjekë në të gjitha qendrat.

Sipas Ilazit, konkursi për mjekë është aktualisht i hapur por nuk ka të interesuar.

“Përderisa me stafin e mesëm i mbulojmë të gjitha Qendrat Mjekësore dhe e kemi të pamundur me 12 mjekë ta mbulojmë tërësisht. Edhe sot kur po flasim konkurset janë të hapura por nuk ka mjekë dhe nga ajo që kemi marrë nga Ministria e Shëndetësisë nga viti i kaluar e deri më tani të na sjellin 2 mjekë për shkak të mungesë së së kuadrit në tërë vendin”, është shprehur Ilazi.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Kaçanikut diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Kaçanikut: Besim Ilazi nga PDK; Jeton Raka nga LVV; Kastriot Bushi – kandidat i pavarur; Shkëlqim Jakupi nga LDK dhe Shukri Luta  kandidat i pavarur.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Kaçanikut: Ardita Rrahmani nga LDK; Florina Lika Vishi dhe Lirije Luta nga PDK; Arta Sopa dhe Resmije Loki nga LVV; Rabije Sallahi dhe Valentina Murseli nga AAK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.