Ramush Haradinaj në takim me rugovasit - Foto: Facebook

Haradinaj u Tregon Rugovasve Çka po Ndodh me Demarkacionin

Çështja e demarkimit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi ishte temë e takimit elektoral që lideri i AAK-së dhe kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, pati me banorë të Rugovës së Pejës.

Haradinaj tha se Rugova është identitet i Kosovës dhe përsëriti se kufiri është në Çakorr e Kullë.

Kreu i Qeverisë shpjegoi para rugovasve se me të marrë detyrën e ka shkarkuar komisionin e vjetër të demarkacionit dhe e ka emëruar një të ri në krye me ekspertin Shpejtim Bulliqi.

“Ne kemi pasur komision të shtetit, por i ka shtu do letra gabim dhe ka ardhë një komision i huaj e ia ka pranu ato letra. U desht me shkarku atë komision, e kur i kam çu këta të rinjtë aty, kurrkush në zyrë nuk ka qenë,” ka shpjeguar Haradinaj, para banorëve disa prej tyre në moshë të shtyrë.

Haradinaj tha se komisionit të ri ia ka dhënë detyrën që çdo dokument që është në Kosovë rreth kësaj teme ta gjejnë.

“Ju kam thënë se kushdo që këta kanë punë e lypin dokumente e nuk ua jep, do t’i çoj në shtëpi si ata të tjerët… Javën që shkoi ua kam dhënë 50 mijë euro. Nuk më vyen me më dasht mu, e as Rugovën, por vetëm me kallxu që kufiri është në Çakorr e te Kulla e Zhlepit. Amerika e as Evropa nuk kanë faj, por shteti ynë,” ka thënë ai.

“Ama kur shteti flet me fakte, kurrkush nuk mundet me të ndalë. Unë kam besim të madh që do të dalim ku duhet, e do të dalim faqebardhë. Nuk kemi interes me dalë keq para Malit te Zi, por kufiri është në Çakorr, tek Kulla e Zhlepit e tek Majat e Larta,” shtuar Haradinaj.

Haradinaj ka zbuluar se në urimin për marrjen e detyrës që ia kishte dërguar sekretari i Shtetit të ShBA-së, i ka thënë që çështja e demarkacionit duhet të zgjidhet.

“Nuk ka thënë është aty a këtu kufiri, por ka thanë pyetja është të demarkacioni”, ka thënë Haradinaj.

Në ndërkohë kandidati për kryetar të Pejës, Fatmir Gashi, ka thënë se Rugova është pjesa më e mirë e Kosovës.

“Do ta ndërtojmë Rugovën deri në Çakorr,” ka thënë Gashi.

“Rugova do të ketë rrugë, kanalizim, ujësjellës njëjtë sikurse qyteti”, është zotuar kandidati i Aleancës për kryetar të Pejës.