Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gashi i AAK-së: Informaliteti duhet të luftohet duke e hequr keshin nga tregu

Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Fatmir Gashi, ka thënë se janë disa forma që mund të luftohet informaliteti në ekonomi.

Ai, në Debat Pernime, ka thënë se informaliteti në Kosovë llogaritet të jetë mbi 1 miliard euro.

Sipas tij, mënyra më e mirë për ta luftuar këtë informalitet është që të hiqet keshi nga tregu e pagesat të bëhen në mënyrë elektronike.

“Sipas disa analizave që ekzistojnë, e të cilat janë bërë prej institucioneve evropiane, ekonomia e hirt sillet diku nga 27 deri në 34 për qind e GDP-së, ose nëse e marrim në vlerë nominale, është 1 miliad e 700 mijë euro e cila ekonomi nuk deklarohet, kjo e dëmton konkurrueshmerinë në treg. Për ta ndërprerë këtë, egziston strategjia kombëtare për luftimin e informalitetit, terrorizimit e pastrimit të parave. E shohim, që për me mujtë me ndërpre këtë është, çështja e fiskalizimit, por edhe një një metodë tjetër, duhet që keshin ta heqim sa më shumë nga tregu, duhet ta bëjmë në mënyrë elektronike, me pagesa elektronike”, ka thënë Fatmir Gashi, kandidat për deputet nga AAK.

“Ka shumë raste të ngritura për shpëlarje të parave, edhe prokuroria edhe policia i kanë qindra raste duke hetuar”, ka deklamuar ai.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Fatmir Gashi nga AAK, Hykmete Bajrami nga LDK dhe Elbert Krasniqi nga IRDK, të cilët do të flasin për ‘Zhvillim Ekonomik.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.