Blerim Bexheti, BDI, Saraj. Foto: Atdhe Mulla

BDI Synon t’i Vazhdojë ‘Punët e Mbetura’ në Saraj

Kandidati i BDI-së për kryetar të komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, premtoi se planifikon t’i vazhdojë punët që kanë mbetur gjatë mandatit aktual në këtë komunë, pas zgjedhjeve lokale të 15 tetorit.

“Në këtë mandat planifikojmë ta vazhdojmë ndryshimin me punët tona sepse falë atij ndryshimi ne flasim për probleme tjera. Kemi kontribuuar me punë konkrete që të mos flasim më për shkollë të mesme sepse e kemi bërë”, tha Bexheti në Debat Pernime të moderuar nga Jeta Xharra.

Ai tha se do të punojë në bazë të vizionit të nisur nga viti 2009.

“Komuna e Sarajit është gjysmë-urbane, gjysmë-rurale dhe programin tonë ia kemi përshtatur kësaj. Programi ynë buron nga bashkëbisedimi me qytetarët. Kemi ofruar një program real që ofron përfundim të projektit tonë”, tha Bexheti.

Ai tha se ka një vendim të qeverisë që një poliklinikë në këtë komunë të ndërtohet në vitin e ardhshëm.

Komuna e Sarajit i ka 40 mijë banorë.

Debatet transmetohen në TV ART CHANNEL nga sot deri më 7 tetor.

Në kuadër të këtyre debateve, shikuesit do të njihen me ofertën politike të kandidatëve për komunat Çair, Saraj, Tetovë, Strugë, Gostivar, Dibër dhe Kërçovë.

Qytetarët mund të dërgojnë pyetje për kandidatët përmes platformës online në KALLXO.com, aplikacionit mobil të KALLXO.com si dhe në Facebook të KALLXO.com.

Debatet organizohen në partneritet të KALLXO.com me PortalbVërtetëmatës/VistinomerArt Channel dhe BIRN Maqedonia.