Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Agolli: Do të sjellim mjekë shqiptarë nga diaspora në Mitrovicë

Kandidati për kryetar të Mitrovicës së Jugut nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Armend Agolli, ka thënë se do të punojë që të sjellë mjekë shqiptarë nga shtetet e huaja që të shërojnë sëmundje në Mitrovicë.

Agolli nuk beson që këta mjekë do të refuzohen nga Ministria e Shëndetësisë, ndonëse është përgjegjësi e tyre.

Sipas Agollit këta mjekë do të mund të shërbejnë në Mitrovicën Jugore me javë dhe jo me kohë të plotë.

Më tej Agolli ka thënë se në programin e tij qeverisës e ka edhe digjitalizimin e shërbimeve shëndetësore, shembull që e ka marrë në Finlandë e po ashtu të angazhojnë edhe mjekët e rinj e ata në pension me punë me gjysmë orari.

“Ne do ta bëjmë digjitalizimin e shërbimeve shëndetësore dhe mjekun ta konsultojmë online e mjekun do ta dërgojmë edhe në fshatrat e Shalës. Me 200-300 mijë euro do të funksionalizohet Sistemi Informativ Shëndetësor sikur e-mail receta. Pasi të kontrollohet pacienti dhe më pas ajo të shkojë në secilën barnatore të qytetit. Ata ndoshta s’mund t’i angazhojmë me kohë të plotë, por ndoshta mund t’i angazhojmë me part-time. Edhe mjekët në pension edhe ata mjekë të rinj”, ka thënë Agolli.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Mitrovicës së Jugut diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Në DebatPernime është kandidati për kryetar të komunës së Mitrovicës së Jugut: Armend Agolli nga LDK.

Të ftuar në debat kanë qenë edhe Agim Bahtiri nga LVV dhe Bedri Hamza nga PDK por të njëjtit nuk kanë pranuar të jenë pjesë e debatit.

Kandidati i LDK-së përballë Jeta Xharrës do të jap përgjigje se si do të menaxhojë me pandeminë COVID-19, cilat janë planet për arsim, ambient, kulturë, siguri publike dhe tema të tjera.

Për të qenë përballë kandidatit për kryetar të komunës janë ftuar edhe kandidatet për asambliste në këtë komunë dhe përballë Agollit do të jetë Flutura Beka Kamberaj nga LDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.