Shpend Maxhuni - Foto: KALLXO.com

Tahiri: Shpend Maxhuni dhe të tjerët në AKI do t’i nënshtrohen verifikimit

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri në Debat Pernime ka deklaruar se shefi i Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës Shpend Maxhuni dhe zyrtarët e tjerë të lartë të AKI-së duhet t’i nënshtrohen një verifikimi.

“Mendoj që zyrtarët e lartë të AKI-së do t’i nënshtrohen këtij testi të verifikimit. Ky agjencion ka nevojë për një reformë të tillë”, ka thënë në Debat Pernime Abelard Tahiri.

I pyetur se a do të ndërrohet shefi i AKI-së, Shpend Maxhuni, që në kohën e deportimit të 6 shtetasve turq, ishte shef i Policisë, Tahiri thotë se këtë përgjgije s’mund ta jap sot.

“Unë sot s’mundem me të thanë asgjë, është e pandershme me të thanë sot se a do të ndërohet a jo”, është përgjigjur Tahiri.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Burim Ramadani, Selim Selimi nga koalicioni AAK-PSD, Arben Gashi e Driton Selmanaj nga LDK dhe Abelard Tahiri nga PDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.