Foto: KALLXO.com

Haradinaj premton luftë të pa kompromis kundër korrupsionit

Kandidati për kryeministër të Kosovës nga radhët e koalicionit AAK-PSD, Ramush Haradinaj ka premtuar se do ta luftojë korrupsionin pa kompromis.

Përmes një video në rrjetin social Facebook, Haradinaj ndër të tjerash ka përmendur edhe gazetarët.

“Zotohem se do ta luftoj korrupsionin pa kompromis, se polici, prokurori, gjyqtari, gazetari do të ndihen krenar me punën në të mirë të vendit të vet. Fëmijët dhe rinia e jonë meritojnë arsim adekuat që të jenë të aftë dhe të zotë të ballafaqohen me sfidat e jetës. Qytetarët e Kosovës do ta kenë të siguruar trajtimin shëndetësor në Kosovë”, thotë ai.

Kur kishte marr mandatin në krye të qeverisë në vitin 2017, Haradinaj ishte kritikuar për qasjen e tij ndaj gazetarëve, në një konferencë për media.

Teksa vizitoi kolegun e tij partiak Pal Lekaj që kishte marrë drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës, kryeministri Ramush Haradinaj duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve i quajti ata të pashkolluar.

Haradinaj reagoi kështu kur u pyet rreth shkrimeve në medie se ambasada amerikane nuk do të përkrahë version tjetër të marrëveshjes së demarkacionit.

“Kam respekt për media shumë, por shumica prej juve as nuk dini të lexoni anglisht, as nuk po dini t’i kuptoni se çfarë kanë thënë. Ju po raportoni pa ditë se si po raportoni, besoni, shkoni më shumë në shkollë”, tha Haradinaj.

Haradinaj me gjuhë të ashpër i ishte drejtuar edhe prokurorit të dorëhequr, Elez Blakaj, i cili kishte hetuar listat e fryra të veteranëve të luftës së UÇK-së.

Haradinaj, Blakajn e kishte quajtur “pishpirik” dhe “hajn të pulave”.

Kreu i AAK-së, sot ndërkaq ka premtuar se do t’i finalizojë projekte në sektorin e energjetikës dhe të infrastrukturës.

“Zotohem se do t’i finalizojmë projektet në sektorin e energjetikës, të infrastrukturës. Do të rrisim investimet në bujqësi dhe do t’i finalizojmë zonat e lira ekonomike, atë Amerikane në Gjakovë dhe atë Gjermane në Prizren”, thuhet ndër të tjerash në video-mesazh.