Haradinaj në Deçan, premton barazi gjinore

Kandidati për kryeministër të Kosovës, nga radhët e koalicionit AAK-PSD në një tubim në Deçan ka premtuar përkrahje dhe fuqizim të rolit të gruas në shoqëri dhe barazi gjinore.

Përmes një publikimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se koncepti i AAK-së u garanton grave barazinë gjinore.

“Mëngjeset i filloj çdoherë duke e pirë kafën me Nanën, si traditë e kujdesit që ne si popull kemi për familjen, e për gratë në veçanti.

Sot, ishte vërtetë kënaqësi të shoh në Deçan shumë gra që po i besojnë konceptit të AAK-së për Kosovën 100 për qind shtet. Një shtet që ua garanton atyre barazinë gjinore në secilin dimension”, ka shkruar ai.

Haradinaj është zotuar se edhe pas 6 tetorit, do të kenë kujdes të veçantë për gratë.

“Si pjesë e zotimeve tona, kemi krijuar strategji që ka paraparë fuqizimin e gruas dhe parasheh barazinë gjinore që i garantojnë gruas në nivel nacional të drejtat e saja. Edhe pas 6 tetorit, gruaja do të ketë kujdes të veçantë në qeverisjen e ardhshme”, thuhet në publikimin e tij.

Kandidati për kryeministër ka shtuar se prioritet nëse marrin mandat, do të kenë shtesat për fëmijë, reformimin e shëndetësisë dhe pensionet për të moshuarit.

“Kemi finalizuar shumë punë që i kemi gjetur në tavolinë. Ushtria është arritja më e madhe, e cila na siguron se jemi të mbrojtur nga çdo rrezik potencial. E kemi kryer edhe punën e Trepçës, e cila do të kthehet në zhvillim, për vendin. Kemi kryer edhe punën e energjisë dhe kemi arritur që të krijojmë rrethana pune për sektorin privat dhe kemi vendosur rregull në sektorin publik. Tash prioritet i qeverisë së ardhshme janë shtesat për fëmijë, reformimi i shëndetësisë dhe pensionet për të moshuarit, të cilat janë në tavolinë menjëherë pas 6 tetorit. Me 6 Tetor votojmë dhe vendosim për 100 për qind shtet!”, thuhet në shkrimin e tij në Facebook.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të mbahen këtë të diel me 6 tetor.