Foto: Facebook

VV: Marrëveshja për Demarkacionin, ‘Pazar Fjalësh’ që na i Humb 8.200 Hektarë

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas informatave për marrëveshjen mes partive të koalicionit me LDK-në për votimin e Demarkacionit me Malin e Zi, pasi që janë dakorduar që në marrëveshje të shtohet fjala “si orientim” për raportimi e Komisionit të drejtuar nga Shpejtim Bulliqi.

“Kështu nuk shkruhen e nuk bëhen ligjet. Ky pazar fjalësh na i humbet 8,200 hektarë njësoj. Ky Projektligj ishte i padrejtë dhe i dëmshëm e tani bëhet edhe më i keq pas këtyre akrobacioneve; ai është krim dhe tradhti që duhet kundërshtuar e nuk duhet legjitimuar”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

“Brenda vitit AAK-ja ndryshoi qëndrim për demarkacionin. Brenda ditës ndryshoi qëndrim për Komisionin Bulliqi”, theksohet po ashtu në këtë reagim.

“Siç duket, PDK-ja e LDK-ja janë në pajtim për ta shfrytëzuar ambicien vetjake të Ramush Haradinajn vetëm sa për t’i kaluar këto projekte të dëmshme. Më pas, kjo qeveri pa numra, edhe ashtu mund të bjerë. Nuk ka gjë më të keqe se sa kthimi në opozitë pas një qeverisjeje të dështuar. Kush mund të bashkëpunojë më me ty, nëse ia vendos vetes vulën e tradhtarit?”, thekson VV.

Duke qenë se Kryeminstri i njeh mirë të gjitha argumentet kundër këtij versioni të demarkacionit dhe pavarësisht kësaj po do që ta kalojë e bën atë edhe më përgjegjës se të tjerët, shton komunikata e Vetëvendosjes.

“Qëndrimi i tij është zmbrapsje. Ai është zmbrapsur me t’u bërë Kryeministër dhe po tërhiqet plotësisht tash kur e ka mundësinë që t’ia shpëtojë Kosovës 8,200 hektarë, ose t’i falë ato për të mbetur thjesht Kryeministër. Asnjë lakmi nuk mund të jetë mbi shtetin dhe territorin e Kosovën. Askush nuk është i autorizuar për të nxjerr tokën e shtetit të Kosovës në pazare”, thekson komunikata.

Në fund, Vetëvendosje thotë se nuk e mirëkuptojnë dhe as e kuptojnë zellin e askujt që shtyn një marrëveshje të tillë për vendin, prandaj nuk do ta votojë këtë “Projektligj të dëmshëm”. “Lëvizja VETËVENDOSJE! do ta kundërshtojë atë”.