VV konfirmon se në KQZ do t’i ketë dy anëtarë, Presidenca i dërgon dy e-maile të ndara

Përveç LDK-së, edhe Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se do t’i ketë dy anëtarë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Ish-anëtari i VV-së në KQZ, Adnan Rrustemi ka thënë për KALLXO.com, se sot i kanë pranuar dy e-maile për të nominuarit e tyre në KQZ.

“Ne sot i kemi marr 2 emaile për dy të nominuarit e Lëvizjes, për zonjën Nazlie Bala dhe për mua personalisht. Ashtu si na takon me Kushtetutë dhe me rezultatin e zgjedhjeve, Lëvizja do t’i ketë dy anëtarë në KQZ, nga e enjtja e kësaj jave”, ka thënë ai.

Rrustemi ka shtuar se fillimisht Zyra e Presidentit të Kosovës i ka dërguar e-mail koleges së tij, Nazlie Bala, ndërsa Rrustemit i kanë dërguar ftesën në postën elektronike zyrtare sa e kishte në KQZ, për t`ia ridërguar më pas në atë private.

“Është e vërtetë që zonja Nazlie Bala e ka pranuar e-mailin dhe ndërkohë mua ma kanë dërguar në e-mailin zyrtar në KQZ në të cilin nuk kam pas qasje. Por e vërteta është që i kanë dërguar në të njëjtën kohë, çështja e qasjes ka qenë si për mua si për anëtarin tjetër të LDK-së, e që më pas na i kanë ridërguar në e-mailet private”, ka sqaruar ai.

Sipas Rrustemit, kjo mund të interpretohet si çështje teknike.

“Për sa kohë e kanë dërguar ftesën edhe në e-mail zyrtar, duhet me interpretuar si çështje teknike dhe e vërteta është që unë e-mailin e dytë e kam marr vetëm brenda pak minutash në adresën elektronike private. Unë mendoj që është dashur të dërgohen ftesa zyrtare dhe jo përmes e-mailit, por kjo pak rëndësi ka tashmë, më rëndësi është të rifunskionalizohet KQZ-ja”, ka përfunduar Rrustemi për KALLXO.com.

 

https://kallxo.com/bllokimi-i-kqz-se-thaci-thote-se-kete-jave-do-te-emerohen-anetaret-e-kqz-se/

 

https://kallxo.com/ldk-thote-se-do-ti-kete-2-anetare-ne-kqz/

.