Foto: RTV 21

Vushtrria merr masa për kursimin e ujit të pijes

Me qëllim të adresimit të shqetësimeve nga KUR “Mitrovica” njësia në Vushtrri lidhur me keqpërdorimin të ujit të pijes, Komuna e Vushtrrisë ka formuar një Task Forcë të veçantë dhe ka aprovuar masat për të siguruar ujë të pijes për qytetin gjatë sezonit të verës.

Masat për të siguruar ujë të pijes janë aprovuar nga kryetari Xhafer Tahiri, drejtori i KUR “Mitrovica”- njësia në Vushtrri, policia dhe Inspektorati komunal.

Në këtë takim është vendosur që fabrika e ujit në Vushtrri të shtojë prodhimin e ujit gjatë sezonit duke zgjatur orarin e punës në 18 orë në ditë nga 12 sa është tani.

Uji i pijes do të ndalohet të përdoret për ujitje të kopshteve dhe larje të makinave.

“Ndalohet përdorimi i ujit të pijes për bizneset si autolarje, ndalohet përdorimi i ujit të pijes për ujitje të kopshteve apo pastrim të oborreve e trotuareve, të gjitha bizneset shërbyese në Vushtrri duhet të ndalojnë përdorimin e ujit të pusit, kjo me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e komunës.

Po ashtu komuna ka marrë vendim edhe për inspektim të bizneseve hoteliere dhe të përgatitjes së ushqimit, nëse janë të lidhura apo jo në rrjetin e ujësjellësit.

Task Forcën komunale do ta udhëheqë nënkryetari i Komunës së Vushtrrisë, Besim Muzaqi.