Vritet një Rojë në “Albi Mall”

Është vrarë gjatë orëve të para të ditës së sotme një person që punonte si roje nate në Qendrën Tregtare “Albi Mall” në Veternik. Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës për KALLXO.com.

Rasti ka ndodhur rreth orës 1 e 30 pas mesnatës.

“Policia ka marrë informacione së në këtë Qendër Tregtare po kryhet një plaçkitje dhe pasi që kemi mbërri në vendin e ngjarjes e kemi parë edhe viktimën e cila ka qenë me lëndime në gjoks”, tha zëdhënësi  i Policisë së Kosovës Daut Hoxha.

Ai tha se vdekja është konfirmuar edhe nga mjeku i emergjencës, ndërsa tani Policia është duke kryer hetime.

“Policia ka marrë në intervistë disa nga dëshmitarët e rastit, por ende nuk ka të dyshuar”.

Për KALLXO.com foli edhe njëri nga pronarët e “Albi Mall-it”, Betim  Humolli.

Humolli tha se rasti përfundoi me fatalitet, pasi synohej të plaçkitej një lokal në katin e tretë të qendrës tregtare.

“Ka pasur roje të mjaftueshme, por ai ka qenë në vendin ku ka ndodhur edhe incidenti”, tha Humolli.

Humolli nuk deshi të japë më shumë detaje në lidhje me rastin, duke dashur që këtë t’ia lë Policisë.

Ndërsa për KALLXO.com dëshmitarët kanë thënë se viktima ka qenë i moshës 44 vjeçare.