Tryeza për mbrojtjen e mjedisit në Pejë - Foto: KALLXO.com

VIDEO: Rajoni i Pejës ashpërson dënimet ndaj dëmtuesve të mjedisit

Institucione të nivelit lokal dhe qendror janë zotuar se do të ndërmarrin masa të rrepta, madje edhe me burg, për degraduesit e natyrës në rajonin e Pejës.

Për këtë qëllim OSBE ka organizuar tryezën me temën “Degradimi i pyjeve dhe ambientit”.

Sami Sharraxhiu, gjykatës i Gjykatës së Pejës, tha se si zgjidhje ndaj degraduesve të mjedisit propozoi ashpërsim të gjobave dhe dënim me burg.

“Zgjidhja e kësaj dukurie, e cila është shumë negative nga paslufta e sidomos tash është që ne nëpër gjykata t’i ashpërsojmë dënimet të fillojmë duke shqiptuar dënime me burg ku besoj se do të realizohet qëllimi dhe të sanksionohen dhe besoj se do të vetëdijesohet popullata që në të ardhmen mos të kryej këso vepra penale”, tha Sharraxhiu.

Kurse, kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina, tha se dënimet për degraduesit e natyrës duhet të jepen sipas Ligjit të Natyrës për krim mjedisor dhe jo sipas atij të Pyjeve për shkak se janë dënime shumë të vogla.

“Ne i kemi ligjet por kemi vështirësi në implementim, secila nga institucionet ka mungesa për këto probleme, implementimi nuk është vetëm i ligjit të parkut, por kryekëput lidhet me ligjin për natyrën, ku ndërlidhet me dënimet, të dënohet në bazë të ligjit për natyrën dhe parkut dhe në bazë të kodit penal sipas degradimit të natyrës si krim mjedisor dhe jo me atë të pyjeve sepse dënimet janë shumë të vogla në këtë ligj”, deklaroi Morina.

Në këtë tryezë ishte edhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Ai u zotua se do ta rrisë numrin e inspektorëve për mbrojtjen e mjedisit si dhe do të vendosë mbi 50 kamera në zona të ndryshme të Parkut Nacional.

“Ne për mbrojtje të ambientit i kemi dy ekspertë. Për me parandalu këtë punë do t’i punësojmë edhe 4 inspektorë në gjashtë muajt e fundit. Ne e kemi buxhetin për 50 kamera këtë vit, po mundemi me rrit për me i mbrojtë pyjet dhe degradimin e tyre. Unë e marr obligim me i vendos ato kudo që e parasheh Policia dhe Prokuroria”, u zotua Muhaxheri.

Ndër masat që do të ndërmerren kundër dëmtuesve të mjedisit janë: Konfiskimi i mjeteve me të cilat është kryer vepra penale, instalimi i kamerave vëzhguese, rivlerësimi i licencave për sharrat që gjenden në Parkun Kombëtar, rivlerësimi i licencave të gurthyesve, shtimi i masave të sigurisë në laura.

Rezultatet e këtyre masave do të vlerësohen pas gjashtë muajsh në tryezën e radhës.