VIDEO - FSK filloi ushtrimin fushor ‘Shqiponja 6’ pas 15 muaj përgatitje

Realizimi i ushtrimit fushor “Shqiponja 6” ka filluar më 4 maj të vitit 2018, pas plot 15 muaj përgatitje.

Secilit urdhër dhe vendim i ka paraprirë një punë e mundimshme e analizave, koordinimeve dhe planifikimeve deri në detajin më të vogël.

Më 9 janar 2018, komandanti i forcave tokësore të FSK-së, Enver Cikaqi ka dhënë një urdhër paralajmërues për të filluar të gjitha përgatitjet e duhura. Më 17 prill 2018, urdhri paralajmërues është pasuar me urdhrin operacional.

“Në bazë të urdhrit të komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, unë sot kam lëshuar urdhrin operacional numër 01 ‘Shqiponja 6’. Komanda e forcës tokësore, jo më vonë se 4 maj 2018 në ora 20:00, të zbarkojë forcën për të hyrë në zonën e operacionit”, ka thënë komandanti i Forcave Tokësore të FSK-së, Enver Cikaqi.

Secili shtet, secili njësit i ushtrive mysafire, secili batalion, kompani, togë ka marrë detyra të caktuara saktë gjatë periudhës përgatitore, ora, data, lokacioni, misioni, detyra, logjistika, pajisjet, mjetet, armatimi etj.

Ky ushtrim është vazhdimësi e operacioneve të viteve të kaluara dhe ka për qëllim adresimin dhe avancimin e mëtejmë të nevojave teknike dhe taktike të FSK-së të cilat janë identifikuar më herët.

I tërë procesi është kryer në koordinim të plotë me shtetet aleate dhe sipas standardeve më të larta të NATO-s. Përpos trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës pjesëmarrës në ushtrimin fushor “Shqiponja 6” janë edhe efektivët ushtarak nga Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, ShBA-ja, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe KFOR-i.