VIDEO: Daut Haradinaj provokon Armend Zemajn

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga AAK, Daut Haradinaj, është përfshirë në një incident gjatë ditës së djeshme në sallën e Kuvendit me anë të një gjesti provokues ndaj kolegut të tij nga LDK, Armend Zemaj.

Përderisa Zemaj po mbante një fjalim nga ulësja e tij gjatë seancës, Haradinaj po kalonte për të shkuar te ulësja e tij në sallën e seancave.

Video regjistrimi tregon se si Daut Haradinaj, kur iu afrua Zemajt, ia preku mikrofonin.

Zemaj nuk reagoi ndaj këtij gjesti, por e vazhdoi fjalimin.

Gjatë seancës së djeshme, Haradinaj e Zemaj ishin përfshirë në një polemikë.

https://kallxo.com/daut-haradinaj-e-ngushellon-armend-zemajn-e-ldk-se-per-vdekjen-e-jugosllavise/

Ndaj gjestit provokues të Haradinajt sot ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

Sipas Hotit, sjellja e Deputetit Haradinaj ndaj Zemaj në seancën parlamentare të enjtenështë “e papranueshme, joparlamentare dhe e dënueshme”.

“Deputetët e koalicionit të pakicës, në veçanti ata nga AAK, vazhdimisht kanë përdorur gjuhë joparlamentare ndaj deputetëve të LDK-së. Por, tani sjelljet e tyre po eskalojnë në provokime fizike”, ka thënë Hoti në një koment të shpërndarë në Facebook.

“Kjo nuk do te tolerohet. Ata dhe kushdo tjetër do të përballen me refuzim të fuqishëm nga LDK dhe qytetarët e Kosovës”, shtoi ai.

Sipas Hotit, “forca e muskujve dhe sjelljet brutale e dhuna nuk mund të përcaktojë zhvillimet politike në Kuvend dhe në Kosovë përgjithësisht”.

“Sjelljet e tilla, për një kohë të gjatë, e kanë çuar LDK-në në kufirin e tolerances së saj politike ndaj kundërshtarëve të saj”, ka shruar Hoti.

“Reagimi i LDK-së, përmes mbeshtetjes qytetare e cila është e lartë dhe në rritje, ndaj kësaj kulture politike brutale do të jetë decizive për të ndaluar sjelljet e tilla dhe modelin e qeverisjes brutale të qytetarëve të Kosovës”, tha Hoti.