Ban Ki-moon, sekretar i përgjithshëm i OKB-së Foto: un.org

Vlerësime të Ndryshme për Raportin e OKB-së për Kosovën

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, në raportin e vet të fundit tremujor për Kosovën ka kritikuar veprimet e opozitës të pjesës së dytë të vitit të kaluar brenda sallës së Kuvendit dhe e ka fajësuar atë për ngecjen e Kosovës duke thënë se ata kanë dëmtuar marrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit.

Kritikat e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së gjetën vend në raportin i cili iu dorëzua Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe i cili pritet të diskutohet në një seancë të veçantë të këtij organi në fund të muajit.

Raporti kritikon sidomos shtyrjet në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Analisti Imer Mushkolaj  thotë se shqetësimet e ngritura nga Ban Ki-moon për veprimet e opozitës kosovare janë të pritshme “marrë parasysh se OKB është e interesuar në radhë të parë që situata e sigurisë në Kosovë të mbetet e qetë dhe dialogu me Beogradin të vazhdojë”.

Mushkolaj tha për KALLXO.com se Ban Ki-moon me plot të drejtë ngre shqetësimin për mosfunksionimin e Kuvendit “ngase kjo ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve në kuptimin e mosmiratimit të ligjeve të nevojshme për ta”.

“Por, kur kemi të bëjmë me ‘Zajednicën’, krahas përmendjes së retorikës nxitëse të opozitës  besoj se do të duhej adresuar edhe retorika nxitëse nga ana e serbëve”, tha Mushkolaj.

Por plotësisht të saktë raportin e Ban Ki-moon e konsideron Bajram Gecaj, Zëvendësministër në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

“Është plotësisht i saktë. Po mendoj që kanë të drejtë, se opozita me këto veprime që ka ndërmarrë jo vetëm që ka shkaktu probleme deri më tash, por ka shkaktu probleme edhe për të ardhmen. Kemi me pas problem shumë të madh në rikthimin e imazhit normal të një shteti normal pas gjithë asaj që ka ndodhë”, tha Gecaj për KALLXO.com.

I pyetur nëse qeveria e ka bërë punën e saj si duhet, Gecaj tha se ky institucion ka dhënë gjithçka që dialogu të ecë sa më mirë.

“Ne kemi punuar në maksimum, ua them sinqerisht, sepse vet kam marrë pjesë në atë proces. Ndonjëherë kem pas negociata deri në gjysmë të natës. Gjithmonë ka hapësirë për ma mirë”, u shpreh ai.

Por raporti i OKB-së është cilësuar nga opozita si një “qasje shumë e padrejtë”.

“Ndërkohë që Serbia e cila ka kryer gjenocid në Kosovë, nuk na njeh dhe vazhdimisht synon ta rrisë kontrollin brenda vendit tonë si dhe po e bllokon Kosovën gjithandej në nismat ndërkombëtare, të shihet problemi tek opozita në Kosovë kjo është një qasje shumë e padrejtë”, tha për KALLXO.com zëdhënësi i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi.

Ai shtoi se opozita në Kosovë nuk po kërkon asgjë më shumë se sa subjektivitet për Kosovën dhe “barazi e reciprocitet” me të gjitha vendet e rajonit.

“Ndërkohë, destruktiviteti i Serbisë nuk po dënohet asnjëherë nga Ban-ki-moon. Ne e konsiderojmë që kjo qasje është shumë e padrejtë dhe duhet të ndryshojë”, tha Krasniqi.

E këto konstatime për dhunën e opozitës “më shumë po i shërbejnë qeverisë qe te jetë mospërfillëse dhe injoruese për kërkesat e opozitës sesa po i ndihmojnë zgjidhjes se krizës politike ne Kosovë”, tha analisti Ismet Kryeziu për KALLXO.com

Sipas Kryeziut, veprimet politike që janë në kundërshtim me vlerat e demokracisë dhe jetës parlamentare duhet të shihen dhe vlerësohen “nga një prizëm më i gjerë”.

“Vlerësimet dhe raportet qofte vendore apo ndërkombëtare duhet të jenë me gjithëpërfshirëse, në vend se t’i japin mundësi njërës palë në këtë rast koalicionit qeverisës që t’i përdorë si argumente dhe mbështetje për veprimet e saj”, tha Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Por ky raport nuk e shqetësuar analisten Besa Luzhën.

“Duke e ditë se OKB është shumë kontraverse në shumë çështje, mendoj se nuk kemi nevojë të shqetësohemi shumë. Përkundrazi duhet të synojmë të minimizojmë rolin e OKB-së në zhvillimet tona deri sa të mos pranohemi si anëtarë në këtë organizatë”, tha Luzha.

Sipas saj fokusi i OKB-së dhe Ban Ki Moon është vetëm dialogu si proces dhe si qëllim,  pa marrë parasysh zbatueshmërinë e rezultateve në terren.

“Politika e stabilitetit për ta është më e rëndësishme se stabilizimi i demokracisë”, tha ajo.