Bajram Gecaj mohon incidentin në tubimin e LDK-së, ku u raportua se ishte i përfshirë djali i tij

Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, e ka mohuar incidentin i cili u raportua se ka ndodhur sot në një tubim të LDK-së si dhe përfshirjen e djalit të tij në të.

Gecaj nuk e ka mohuar se në këtë tubim ka qenë i pranishëm edhe djali i tij, i cili është anëtar i Forumit Rinor të LDK-së.

“Së pari, djali im nuk ka pasur asnjë konflikt me askënd aty, dhe nuk ka pasë as konflikt”, ka thënë Gecaj për KALLXO.com.

Gecaj është pyetur edhe në lidhje me një video e cila ka qarkulluar ku dëgjohen fjalosje në tubimin e një nëndege të LDK-së në Prishtinë.

“Zëri i djalit tim nuk dëgjohet aty, mundeni me verifiku edhe me djalin e Fatmir Sejdiut, nuk ka pasur konflikt. Djali im nuk ka pasur konflikt me askënd e as unë nuk kam pasur konflikt me askënd”, ka theksuar Gecaj.

Bajram Gecaj ka shtuar se në këtë tubim kanë qenë pjesëmarrës mbi 200 persona dhe për shkak se nuk ka qenë e mundur të menaxhohet teknikisht, Kryesia ka vendosur që ky takim të mbahet një ditë tjetër.

“Kur të mblidhen 200 vetë ndoshta ngritën zërat ndonjëherë por mbledhja nuk është ndërprerë për shkak të konflikteve por është ndërprerë se nuk ka mundur të menaxhohet teknikisht”, ka thënë Gecaj.

Gecaj ka treguar se nuk ka pasur zërim dhe pajisje të tjera teknike të cilat kanë pamundësuar menaxhimin e situatës në këtë takim.

“Kështu që teknikisht ka qenë e pamundur me organizu një takim të tillë me 200 vetë, nuk kemi pasur zërim, nuk kemi pasur kompjuter, nuk kemi pasur printer, edhe si të tillë jemi mundu me menaxhu por nuk dëgjohej sepse ishin shumë vetë edhe në fund e kemi vendosur së bashku, Kryesia e Degës së Dytë edhe Kryesia e kësaj nëndege që ka pasur takim, që me shty e me organizu një ditë tjetër më mirë. Takimi i sotëm tregon që LDK-ja është duke u rritur se asnjëherë nuk ka ndodhë që në një nëndegë me qenë 200 vetë në takim e për shkak të kësaj ne nuk kemi mundur me menaxhu e mediat e kanë keqinterpretuar”, ka përfunduar Gecaj.

https://kallxo.com/video-incident-ne-nje-tubim-te-ldk-se/

www.kallxo.com