Veseli: Fshehja e krimit dhe aspirata evropiane e Serbisë nuk shkojnë bashkë

Me kërkesën e 70 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka filluar seanca parlamentare për personat e pagjetur, të  luftës së fundit në Kosovë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se kjo javë u kushtohet personave të pagjetur ndërsa tha se po bëhen dy dekada dhe Serbia po vazhdon të hesht për këtë dramë dhe fatkeqësi kosovare.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet çdo herë, çdo vit derisa të përfundoj kjo dramë e fatkeqësisë kosovare. Po bëhen dy dekada të dhimbjes dhe Serbia po vazhdon të hesht. Fshehja e krimit dhe aspirata evropiane nga Serbia nuk shkon bashkë”, tha Veseli.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për personat e pagjetur në Kosovë që nga lufta e fundit në Kosovë 1998-1999.

Çështja e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë vazhdon të mbetet një dhimbje dhe ankth për familjarët e tyre.

Tani kur Kosova po shënon Javën e Personave të Pagjetur, ky ankth nuk ka përfunduar as 19 vite pas luftës për familjarët e 1 mijë e 652 personave të zhdukur.

 

http://kallxo.com/video-ankthi-i-dy-dekadave-per-te-pagjeturit/