Takimi Hyseni-Tahiri | Foto: MPB

Tahiri i Quan Absurde Fletarrestimet e Serbisë

Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë Saimir Tahiri gjatë takimit me homologun e tij kosovar Skender Hyseni, i quajti absurde fletarrestimet e Serbisë nëpërmjet INTERPOLit me anë të të cilave kërkohet arrestimi i ish-pjesëtarëvë të UÇK-së.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, Tahiri vlerësoi edhe bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri në luftë kundër terrorizmit.

Ministri Skender Hyseni tha se Kosova e Shqipëria kanë qëllime të përbashkëta.

“Ne si dy vende, si dy qeveri që kanë të njëjta synime, kanë objektivat e njëjtë ndërkombëtare e diplomatike do të vazhdojmë të bashkërendojmë planet tona,” tha Hyseni.

Komunikata bëri të ditur se duke e informuar Tahirin për tensionet e ngritura të kohëve të fundit në relacionin Kosovë-Serbi, Hyseni e ka vlerësuar stabile gjendjen e sigurisë në vend.

Hyseni e Tahiri u pajtuan që të lehtësojnë procedurat e lejeqëndrimit dhe punësimit të qytetarëve të Kosovës në Shqipëri dhe Shqipërisë në Kosovë.