Gjykimi i Avni Mazrrekut - Foto: KALLXO.com

Raportimi i KALLXO.com që zbuloi aktakuzën 'e fjetur' për Avni Mazrekun

Në shkurt të vitit 2018, KALLXO.com, kishte raportuar se për gati dy vite nuk ishte mbajtur asnjë seancë gjyqësore kundër ish- Drejtorit të Kolegjit “ISPE”, Avni Mazrrekaj.

Aktakuza ndaj tij ishte ngritur në prill të vitit 2016.

KALLXO.com, kishte pyetur Gjykatën e Prishtinës për arsyet e zhagitjes së procesit gjyqësor ndaj ish Drejtorit të Kolegjit “ISPE”, dhe pas kësaj pyetje Gjykata kishte njoftuar se e kishte caktuar gjykimin për mars të vitit 2018.

“Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftojmë se lënda me numër P.1946/16  ku i akuzuar është A.M, është në procedurë dhe shqyrtimi fillestar është caktuar të mbahet me dt. 19.03.2018”, thuhej në përgjigjen e Gjykatës së Prishtinës.

Gjykata në përgjigjen e saj nuk e kishte specifikuar se kur është vendosur që seanca të mbahet me këtë datë, si dhe nuk kishte dhënë sqarime për vonesë dhe arsyet pse kjo lëndë nuk është caktuar për afër dy vite.

Vetë Avni Mazrreku i kontaktuar nga KALLXO.com, kishte deklaruar se nuk ka qenë në dijeni që për afër dy vjet ndaj tij është e ngritur një aktakuzë.

Pasi u bënë gati 3 vite që prej kohës kur ishte ngritur aktakuza, Gjykata vendosi për epilogun e saj.

Mazrrekaj u dënua me 3 vite burgim për legalizim të përmbajtjes së rreme, dënimi erdhi pasi Gjykata e shkallës së parë e gjeti fajtor për vënien në lajthim të Agjencisë Kosovare për Akreditim.

Ky vendim sipas avokatit të tij Korab Rexhepi ishte i padrejtë.

“Do të bëjmë ankesë, është vendim tepër i rendë ,klienti im është i pafajshëm është vendim i padrejtë gjithsesi se do të bëjmë ankesë”, tha Rexhepi.

Sipas aktakuzës Mazrreku e kishte vënë në lajthim AKP-në, që në një dokument publik të vërtetojë një çështje të pavërtetë të paraparë për të shërbyer si provë në një çështje ligjore.

Çështja ndaj ish-pronarit të Kolegjit ISPE Avni Mazrrekut ishte nisur pas një kallëzimi penal të muajit janar 2015.

Hetimet kishin përfunduar me aktakuzën e prokurores Gjejrone Alaj, në vitin 2016, për ‘legalizim të përmbajtjes së pavërtetë’ në hetimet e nisura ndaj drejtorit dhe pronarit të atëhershëm të Kolegjit ISPE, Avni Mazrreku, në vitin 2014.

Mazrreku më nuk është pronar i Kolegjit ISPE. Aktakuza lidhet me procesin e akreditimit të kolegjit, përkatësisht pagesat të cilat duhej kryer në Agjencinë Kombëtare të Akreditimit.

Sipas aktakuzës të cilën e ka siguruar KALLXO.com, Mazrreku akuzohet se e kishte vënë në lajthim Agjencionin e Akreditimit kur u kishte paraqitur dëshminë se ai kishte kryer pagesën prej 19,300 Euro.

https://kallxo.com/avni-mazreku-denohet-me-tre-vjet-burg/