Ilustrim

Qendrat e Mjekësisë Familjare që punojnë edhe natën në Prishtinë

Qytetarët e Prishtinës gjithmonë i’a mësyjnë qendrave më të afërta të Mjekësisë Familjare për shërbime shëndetësore. Megjithatë, jo çdo qendër punon edhe në ndërrimin e natës.

Shërbime në ndërrimin e natës  mund të kërkohen në tri qendra në Prishtinë që përfshijnë Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në rrugën” Fehmi Agani” afër ndërtesës së Qeverisë,  Qendrën e Mjekësisë Familjare numër 4 në rrugën “Myrvete Maksuti” afër Medreses Alaudin dhe shkollës Nazim Gafurri apo në QMF numër 5 në rrugën “Nënë Tereza” afër PTK-së.

KALLXO.com ka pranuar raportime lidhur me mospunën e QMF-ve gjatë natës. Ankesa ka pasur përkatësisht lidhur me qendrën në Bregun e Diellit.

Kryeshefi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare Sami Uka tha për KALLXO.com se ndërrimi i natës punon në tri qendra në Prishtinë dhe sipas tij kjo është e mjaftueshme.

Sipas tij, ndërrimet e natës shpesh janë dashur të merren edhe me probleme që nuk janë të natyrës urgjente.

“Në QMF 5, QKMF ose QMF 4 ka kujdestari të natës. Askund në botë nuk kërkohet shërbimi urgjent ku hynë edhe kujdestaria e natës për probleme banale dhe kronike Kujdestaria mbahet për raste urgjente derisa ne në ndërrimet e natës merremi me raste të vonuara, neglizhuara dhe 80% nuk kanë arsye të qëndrueshme shëndetësore  që nuk pret deri në ndërrimin e rregult ” tha Uka.

Nga ana tjetër Komuna e Prishtinës thotë se ndërrimi i natës në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Bregun e Diellit nuk punon për shkak se numri i pacientëve që e kanë frekuentuar këtë qendër gjatë natës ka qenë shumë i vogël por edhe numri i punëtorëve është i vogël.

Sipas statistikave qe i ka nxjerrë menaxhmenti i QKMF-së , kjo qendër ka pasur numrin më të vogël të pacientëve gjatë natës dhe është vendosur që të ndërpritet ndërrimi deri në një moment kur do të kemi rritje të numrit të stafit shëndetësor”thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.