Protesta në Graçanicë kundër mbledhjes së liderëve opozitarë serbë. Foto: Radio 'KiM'

Protestë në Graçanicë, liderët opozitarë serbë e themelojnë degën e “Lidhjes për Serbinë” në Gazimestan

Iniciativa e liderë opozitarë të Serbisë të mbledhur nën siglën “Lidhja për Serbinë” që ta themelojnë degën e tyre në Kosovë është ndeshur me kundërshtimin e disa qytetarëve të Graçanicës.

Këta të fundit, duke mbajtur në duar flamuj të Serbisë, janë mbledhur para Shtëpisë së Kulturës në Graçanicë.

Radio “KiM” raporton në mesin e qindra protestuesve shumica kanë qenë të punësuar në institucionet e Serbisë si dhe në komunën e Graçanicës, të kontrolluar nga Lista Serbe, e afërt me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Protestuesit kanë thënë se kanë dalë në rrugë në mbështetje të Vuçiqit dhe “kundër Gjilasit”, njërit ndër liderët opozitarë të Serbisë i cili është duke qëndruar në Kosovë për të marrë pjesë në këtë mbledhje.

Por në pamundësi për ta mbajtur mbledhjen në Graçanicë, shkaku i protestave, liderët opozitarë serbë janë zhvendosur në Gazimestan dhe e kanë mbajtur mbledhjen e themelimit të degës së “Lëvizjes për Serbinë” para monumentit që shënon Betejën e Kosovës të vitit 1389 mes Perandorisë Osmane dhe një koalicioni ballkanik.

Njëri nga liderët opozitarë, Boshko Obradoviq nga partia Dveri, nuk është lejuar të hyjë në Kosovë gjatë paradites së sotme. Ai është kthyer mbrapsht nga Policia e Kosovës nga njëra prej pikave  kufitare me serbinë dhe nga atje e ka fajësuar qeverinë e Serbisë se qëndron prapa këtij vendimi.

Kjo lëvizje opozitare serbe tash e disa muaj është duke organizuar protesta të vazhdueshme kundër Aleksandar Vuçiqit në Serbi.