Uran Ismaili, ministër i Shëndetësisë. Foto: Facebook

Ministri Ismaili: Për mua, nuk ka doktorë të PDK-së dhe LDK-së

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka thënë që doktorët nuk i sheh si të PDK-së ose të LDK-së. Kjo përgjigje erdhi pasi që deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli e pyeti se si do ta bëjë depolitizimin në konkursin për drejtorë të klinikave të QKUK-së që sipas tij shumica janë nga PDK-ja.

“Sa i për ketë doktorëve të PDK-së, ne PDK-ja nuk kemi hapur Fakultet të Mjekësisë, nuk i kemi dhanë askujt diplomë, d.m.th mjekët janë mjekë, kah do që vijnë, për mua të gjithë janë njësojë. Nuk ka doktorë të PDK-së dhe LDK-së për mua. Ka menaxher të suksesshëm dhe të pa suksesshëm”, tha ministri.

Ismaili tha se tentativa e deputetit Avdyli që doktorët t’i bëjnë të PDK-së, e tregon vetëm konceptim e politizimit të tij.

“Duke pas tentativë që doktorin ta bëni të PDK-së ju tregoni konceptin e politizimit. Andaj depolitizimin do ta bëjmë ashtu që pacienti ta merr shërbimin e duhur. Nuk do ta rehatojmë individin por pacientin që do ta marrë shërbimin e duhur “, tha Ismaili.

I pari i shëndetësisë në Kosovë, tha se këtë vit do të ketë rritje të pagave për punonjësit e shëndetësisë.

“Jemi zotuar që do i përmirësojnë kushtet e punonjësve shëndetësor. E para gjithë punonjësve të shëndetësisë këtë vit do tu rritet paga dhe do bëhet kategorizimi i pagave të tyre”, tha Ismaili.

Sipas tij, gjatë këtij viti, është shtuar numri i të punësuarve në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar  të Kosovës.

Ismaili tha se janë punësuar 39 mjek specialist dhe janë në pritje të punësimit edhe të 23 specialistëve të përgjithshëm. Po ashtu sipas ministrit janë punësuar edhe 93 infermier të fushave të ndryshme gjatë këtij viti.