Aktori Mensur Safqiu. Foto: Stupcat/Gjirafa/Video

Mensur Safqiu pranon se u shoqërua në polici

Aktori Mensur Safqiu u shoqërua në polici sot pasi ishte përfshirë në një aksident.

Fillimisht gjatë ditës, në mediat kosovare u raportua  se aktori ishte arrestuar  dhe u shpërnda një video rreth kësaj.

Safqiu për KALLXO.com lidhur me këtë fillimisht tha se lajmi për arrestimin ishte i pavërtetë dhe se ai ishte duke xhiruar një film me skena të arrestimit.

Policia fillimisht nuk kishte dhënë deklaratë lidhur me këtë çështje.

Në tentimet e mëvonshme të KALLXO.com, komandanti i stacionit jugu në Prishtinë Gani Berisha tha se aktori në fakt ishte shoqëruar në polici.

“Ai gjatë ditës së sotme ka krijuar një aksident dhe zyrtarët policor pasi që nuk e kanë parë në gjendje të rregullt e kanë shoqëriar në polici ku më pas ëshyë liruar në procedurë të rregullt”, tha Berisha për KALLXO.com.

Pas kësaj, KALLXO.com kontaktoi sërish Safqiun, i cili kësaj rradhe pranoi se ishte shoqëruar në polici por insistoi se nuk ishte arrestuar.

“Më kanë ndodhe dy gjëra sot. Nuk më kanë arrestu. Krejt esenca ka qenë që në një parking të Ulpianës jam aksidentuar shumë pak me një veturë tjetër pasi qe kam qenë për ngut duke shkuar në vendin tjetër ku pritej të vazhdonin xhirimet. Me personin në veturën që u aksidentuam pak nuk arritëm të mirreshim vesh. Kam qenë në stacion për të dhënë deklaratën dhe jam liruar, por nuk kam qenë i arrestuar. Vetëm kam ndjekur procedurat policore dhe aq. Por po e theksoj kam pasur dy ngjarje sot edhe atë të arrestimit i cili ka qenë pjesë e xhirimeve”, tha Safqiu.