Ilustrimi: kallxo.com

Lamtumirë 038!

Numeracioni gjeografik i Prishtinës është bërë i njohur ndër vite. Madje edhe emisionet kushtuar Prishtinës janë emëruar vetëm 038, pasi ky numër ndërlidhet me kryeqytetin. Kjo shumë shpejt do të ndërrohet.

Qytetarët do t’i thonë lamtumirë numeracionit gjeografik, pasi më nuk do të aplikohet 038-shi. Numeracioni i ri do të vendoset në bashkëpunim me operatorët.

Kryetarit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi thotë se numeracionet gjeografike do të ndërrohen.

“Sa i përket numeracionit gjeografik (seritë 2x dhe 3x, përfshirë këtu 038), ARKEP-i pas implementimit të kodit telefonik 383 në konsultim me operatorët do të përcaktojë strukturën e re të këtij numeracioni”, tha Gashi.

Por, kodet fillestare të telefonisë mobile (044, 045 dhe 049) nuk do të ndryshohen.

Plani i Ri i Numeracionit i miratuar nga ARKEP-i nuk ka paraparë ndryshimin e strukturës së numeracionit jo-gjeografik mobil (seritë 4x p.sh. numrat 044, 045, 049 etj.)”, tha Gashi.

Sipas Gashit, përdorimi i kodit të ri shtetëror për thirrje ndërkombëtare, hyrëse dhe dalëse ka filluar mbarë me më shumë se 200 operatorë që kanë filluar njohjen e tij.

“Deri më tani një numër i konsiderueshëm i operatorëve ndërkombëtarë (mbi 200) e kanë hapur trafikun në drejtim të kodit 383, pra është duke u përdorur. Platformat kryesore që përdorin aplikacionet e ndryshme për dërgim të mesazheve apo thirrjeve verifikuese tashmë e kanë njohur kodin 383, presim që një gjë e tillë të ndodhë me të gjitha këto platforma”, tha Gashi.

Ndërsa me fillimin e këtyre thirrjeve ndërkombëtare me kodin e ri shtetëror është ngritur një shqetësim publik lidhur me tarifat e thirrjeve ndërkombëtare. Një portal shqiptar me qendër në Finlandë, Gjiganti.com kishte raportuar se një nga operatorët e Finlandës e kishte faturuar 19 euro një minutë me Kosovën në kodin e ri 383.

ARKEP-i lidhur me këtë pati sqaruar se tarifat vendosen sipas marrëveshjeve të operatorëve telefonikë.

“Operatorët tanë janë të lirë që direkt të negociojnë çmimet me shumicë (në mes operatorëve) për  thirrjet ndërkombëtare. Në këtë kontekst, çmimet e aplikuara nga operatorët e Republikës së Kosovës për operatorët ndërkombëtar nuk kanë ndryshuar, prandaj nuk ka asnjë argument të vetëm që thirrjet ndërkombëtare me pakicë në kodin 383 të jenë më të shtrenjta”, thuhej një njoftimin e ARKEP.

Gashi po ashtu siguroi që janë duke u munduar që të mos ketë problem me implementimin e kodit të ri, pasi sipas tij për këtë arsye edhe ka qenë kohëzgjatja e periudhës tranzitore.

“Njëra nga arsyet e bashkekzistimit të kodeve paralele (në këtë rast kodet e deritashme dhe kodi 383), respektivisht ekzistimit të periudhës kalimtare ka qenë eliminimi i problemeve të cilat mund të dalin me implementimin e kodit 383”, tha Gashi.