Kërkohet paraburgim për policin e dyshuar për vrasjen në Suharekë

30 ditë paraburgim po konsiderohet të jetë masë e nevojshme e sigurisë për rreshterine policisë Sh.S., i cili u arrestuar si i dyshuar për vrasjen e djeshme në Suharekë

Prokuroria e Prizrenit ka kërkuar masën e paraburgimit, ndërsa gjykata pritet që sot ta marrë vendimin për këtë kërkesë.

Një 32 vjeçar nga Mushtishti i Suharekës është vrarë  dje në mëngjes në një kazino të qytetit, ku po punonte.

Në cilësinë e të dyshuarit është arrestuar një zyrtar i Policisë, me detyrë në stacionin policor Veriu në Prizren.

Lajmin për KALLXO.com e kishte konfirmuar kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala.

Avokati Emrush Kastrati, mbrojtës i rreshterit të Policisë Sh.S ka thënë se  se deri më tani nuk ka asnjë provë që e ndërlidhin klientin e tij me vrasjen në kazino të Suharekës.

“Klienti im ka deklaruar në hetuesi se nuk ka gisht në këtë vrasje. Banesa e tij, vetura dhe lokacionet e tjera janë bastisur por nuk është gjetur asgjë e dyshimtë që e ndërlidh atë me vrasjen”, tha dje avokati Kastrati.