Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarve për trafikimin e qelizave vezore

Prokuroria e Prishtinës po kërkon paraburgim ndaj katër personave që po dyshohen se kanë kryer transplantim të kundërligjshëm dhe trafikim të organeve dhe qelizave njerëzore.

Të dyshuarit u arrestuan pas bastisjes së një klinike private në Prishtinë më 2 prill

Prokuroria ka bërë të ditur se seanca dëgjimore lidhur me shqyrtimin e kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit është mbajtur dje dhe pritet që Gjykata të vendosë shumë shpejt për  këtë masë.

Sipas prokurorisë të dyshuarit i kanë ftuar të dëmtuarat e gjinisë femërore në këtë klinikë dhe ju kanë premtuar që nëse dhurojnë qeliza vezore ato mund të përfitojnë shumë të caktuar të parave.

Ndërsa qelizat e njëjta më pas i ’u janë shitur në vlera shumë të mëdha personave tjerë në nevojë, tek të cilët është bërë transferimi i embrionit.

“Gjatë bastisjes është vërtetuar se katër të dyshuarit në vazhdimësi me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, pa autorizim, pa arsye mjekësore dhe në kundërshtim me Ligjin për Transplantimin e Indeve dhe Qelizave Njerëzore, Ligjit për Shëndetin Riprodhues dhe Ligjit për Shëndetësi, kanë bërë shitblerjen e organeve dhe qelizave vezore si dhe përcaktimin e gjinisë”, thuhet në  njoftimin e prokurorisë.