FOTO ARKIV

Kalimi në të Kuqen, Policia me Plan Konkret

Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor në  Prishtinë  ka njoftuar se nga sot ka hyrë  në  zbatim plani i ri për mosrespektimin e dritës së  kuqe të  semaforit.

Në  bazë  të  planit, policët me rroba civile do të  jenë  të  vendosur afër udhëkryqeve me semaforë  për të  fotografuar shoferët që  hyjnë  në  të  kuqen.

“Fotografia e cila  bëhet nga policët civil  përdoret si dëshmi nga komisioni , në rast se pala bënë ankesë brenda afatit prej 15 ditëve”, thuhet në përgjigjen e Policisë dhënë për KALLXO.com

Policia ka bërë të ditur se  gjobat për kundërvajtësit do të  bëhen siç janë  paraparë  në  kuadër të  ligjit të  ri për kundërvajtje.

‘’Shoferët të  cilët nuk i respektojnë  rregullat për respektimin e dritës së  kuqe të  semaforit do të  gjobiten me 150 euro, tri pikë  negative si dhe tre muaj konfiskim i patentë   shoferit, siç është  paraparë  në  Ligjin e ri për kundërvajtje’’, thuhet në  përgjigjen e Policisë .

NJRKRR ka njoftuar se policët civil do të mbulojnë shumicën e udhëkryqeve në Prishtinë.

Sipas Policisë  ky plan  ka hyrë  në  zbatim për shkak se është  vërejtur një  numër i konsiderueshëm i shoferëve të  cilët nuk respektojnë  dritën e kuqe.