Gjykimi ndaj Asdren Mekajt - 13.12.2019

Gjykimi ndaj Asdren Mekajt, ndërrohet trupi gjykues

Trupi gjykues në rastin e Asdren Mekajt, i akuzuar për veprën penale të detyrimit, të kryer në vazhdim, është ndërruar saktësisht një vit pasi ka filluar procesi gjyqësorë.

Aktakuza thotë që i pandehuri Mekaj gjatë periudhës kohore nga viti 2010 deri në fund të vitit 2013, ka përdorur shantazh dhe kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i japë të holla të gatshme dhe t’i blejë vetura të shtrenjta, sipas kushteve të cilat i pandehuri vet i ka caktuar.

Në këtë mënyrë ai dyshohet t’i ketë sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro.

Me 17 janar të këtij viti bëhen 2 vite që kur Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Asdren Mekajt, nën akuzat për kryerje të veprës penale të detyrimit, të kryer në vazhdim.

Gjykimi ndaj Asdren Mekajt kishte filluar në tetor të vitit 2018, e që në fillim kishte hasur në pengesa që gjykimi të fillonte rrjedhën normale siç e parasheh Procedura para Gjykatës.

Këtë proces gjyqësor edhe në të kaluarën e kanë përcjellur zvarritje dhe dështime të seancave gjyqësore për të cilat ka raportuar Kallxo.com.

Historia e shtyrjeve: Një vit, dy seanca ndaj rastit të Asdren Mekajt

Në prill të vitit 2019 kishin filluar të mbaheshin seancat e shqyrtimit kryesor, me dhënien e dëshmisë së të dëmtuarit Pal Gruda, i cili me propozimin e prokurores Merita Bina- Rugova do të dëgjohej si dëshmitari kryesor i rastit, në bazë të deklaratës së të cilit edhe ka filluar kjo procedurë gjyqësore.

Pal Gruda që nga Prokuroria Speciale cilësohet si i dëmtuar, në 4 seanca të mbajtura në Gjykatën e Prizrenit është marrë në pyetje para trupit gjykues me kryetar Xheladin Osmani dhe anëtarët Luan Berisha dhe Arjeta Gashi.

Marrja në pyetje e dëshmitarit Pal Gruda nuk ka kaluar pa tensione në sallën e Gjykatës, ndërsa përfaqësuesin e tij avokatin Tomë Gashi, gjykatësi Xheladin Osmani e kishte dënuar me gjobë.

Gjykata e dënon avokatin Tomë Gashi

Kur marrja në pyetje e dëshmitarit Pal Gruda po afrohej drejt fundit, kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani pa ndonjë paralajmërim paraprak për palët dhe pa ndonjë arsye të caktuar ligjore kishte ndërruar dy anëtarët e turpit gjykues.

Në seancën e datës 13 dhjetor gjykatësi Osmani nuk ka dhënë ndonjë sqarim me shkrim lidhur me këtë vendim, mirëpo ka thënë se për shkak të angazhimeve nëpër gjykime të tjera, ka ndryshuar përbërja e trupit gjykues.

Në seancat e kaluara anëtarë të këtij trupi ishin gjykatësit Luan Berisha dhe Arjeta Gashi, ndërsa ata tash janë zëvendësuar me gjykatësit Fatmir Krasniqi dhe Vjollca Buzhala.

Këtë e ka kundërshtuar avokati Besnik Berisha duke thënë se kur marrja në pyetje e dëshmitarit të vetëm të paraqitur si palë e dëmtuar Pal Gruda ishte afër  fundit, ky ndërrim i trupit gjykues do të dëmtonte këtë proces gjyqësor.

“Vërejtjet tona nuk kanë të bëjnë me personalitetin e gjyqtarëve, por edhe Gjykata e Apelit e ka shpallur jokompetentë departamentin e përgjithshëm të kësaj gjykate për të gjykuar këtë rast, ndërsa edhe Prokuroria e ka kontestuar që ky rast të zhvillohet në departament të përgjithshëm”, ka thënë avokati Berisha.

Kjo vërejtje e avokatit Berisha lidhet me faktin se dy anëtarët e rinj të trupit gjykues janë gjykatës të departamentit të përgjithshëm dhe jo të Krimeve të Rënda.

Gjykimi ndaj Asdren Mekajt

Në janar të vitit 2019 gjykatësi Xheladin Osmani i ishte drejtuar me një kërkesë Gjykatës Supreme, sipas njoftimit të gjykatës me “kërkesë për kompetencë”, për të marrë një mendim nga kjo Gjykatë se cili departament i gjykatës duhet ta gjykoj rastin, Departamenti i Përgjithshëm apo i Krimeve të Rënda.

Prokuroria Speciale këto kërkesa të gjykatësit të rastit i kishte konsideruar si veprime që kanë shkaktuar zvarritje të panevojshme dhe të paarsyeshme të procedurës.

Kundërshtimet e avokatit Berisha, prokurorja e rastit Merita Bina- Rugova i kishte konsideruar tendencë e mbrojtjes që me vërejtje dhe kërkesa për shtyrje të gjykimit të zvarritet maksimalisht procedura.

Pavarësisht vërejtje të avokatit Besnik Berisha, gjykatësi Xheladin Osmani ka konsideruar se nuk kishte pengesa për të filluar shqyrtimin kryesor me anëtarët e rinj të trupit gjykues.

Me ndërrimin e anëtarëve të trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor ka  fillon rishtas.

Dëshmitë e Pal Grudës të dhëna në katër seanca të cilat kanë zgjatur rreth pesë deri në gjashtë orë secila, kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani vendosi që të konsiderohen të lexuara në tërësi.

Por, avokati Besnik Berisha i kërkoi trupit gjykues dhe anëtarëve të rinj që deklaratat e dëshmitarit Pal Gruda të lexoheshin rresht për rresht dhe të shihej saktësisht se çfarë ka deklaruar i njëjti.

Këtë kërkesë të tij e refuzoi trupit gjykues, dhe procesverbalet me deklaratat e dëshmitarit Pal Gruda u konsideruan të lexuara, por jo sipas kërkesës së avokatit Besnik Berisha që këto procesverbale të lexoheshin në këtë seancë rresht për rresht.

Në seancën e radhës të datës 24 janar kur mbushen plot dy vite që nga ngritja e aktakuzës, dëshmitari Pal Gruda do të vazhdojë të merret në pyetje para trupit gjykues nga mbrojtësi i të akuzuarit Asdren Mekaj, avokati Besnik Berisha.

Gjykimi ndaj Asdren Mekajt

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën e Prizrenit, kundër të pandehurit Asdren Mekaj nën akuzat për kryerje të veprës penale të detyrimit, të kryer në vazhdim.

Aktakuza thotë që i pandehuri Mekaj gjatë periudhës kohore nga viti 2010 deri në fund të vitit 2013, ka përdorur shantazh dhe kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i japë të holla të gatshme dhe t’i blejë vetura të shtrenjta, sipas kushteve të cilat i pandehuri vet i ka caktuar.

Në këtë mënyrë ai dyshohet t’i ketë sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro.

Fillimisht Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë për veprën penale të detyrimit dhe të shantazhit.

Por Gjykata e Apelit, në gusht të vitit 2018 pas ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit Mekaj, avokati Besnik Berisha, ka hedhur poshtë pjesën e aktakuzës për veprën penale të shantazhit.

Në shqyrtimin fillestar Asdren Mekaj lidhur me akuzat e Prokurorisë Speciale ishte deklaruar se nuk ndihej fajtor.

“Në rastin konkret ndihem i dëmtuar dhe i mashtruar nga Pal Gruda dhe për këtë mashtrim është iniciuar edhe një kontest juridiko-civil pranë kësaj gjykate”, kishte thënë ai.