Gjykata e dënon avokatin Tomë Gashi

Gjykata e Prizrenit e ka dënuar avokatin Tomë Gashi me gjobë në shumën prej 500 eurosh.

Gjyqtari Xheladin Osmani arsyetoi dënimin duke thënë se pyetja e avokatit Tomë Gashi paraqiste fyerje për kryetarin e trupit gjykues, përkundër vërejtjes fillestare nga ana e trupit gjykues.

Kjo ndodhi në gjykimin që po zhvillohet ndaj të akuzuarit Asdren Mekaj, i cili po akuzohet nga Prokuroria Speciale për veprën penale të detyrimit.

Gjatë kohës kur i dëmtuari Pal Gruda po merrej në pyetje në cilësi të dëshmitarit, mbrojtësi i të akuzuarit Asdren Mekaj, avokati Besnik Berisha kishte kërkuar nga trupi gjykues t’i shikojë provat materiale që i posedon Gjykata, në mënyrë që të paraqiste pyetjet e tij për dëshmitarin.

Më pas, avokati Tomë Gashi kishte vërejtje ndaj mënyrës se si kolegu i tij Berisha po ia parashtronte pyetjet dëshmitarit Gruda, duke thënë se në këtë formë kjo lëndë do të zvarritet dhe do të zgjasë shumë.

Gashi iu drejtua kryetarit të trupit gjykues, Xheladin Osmani, duke i thënë: “Ndoshta po pritni me dal në pension e mos me u kry kjo lëndë”.

Kjo pyetje për kryetarin e trupit gjykues paraqiste fyerje, andaj trupi gjykues mori vendim për të gjobitur avokatin Tomë Gashi në shumën prej 500 eurosh.

Avokati Tomë Gashi i kërkoi gjyqtarit një kopje të CD-së nga video-incizimet e sallës së gjykimit, të cilat pamje i njëjti do t’i përdor në ankesën e tij ndaj këtij vendimi.

Avokati pretendon se këto video-incizime do të vërtetojnë anshmërinë e skajshme të gjyqtarit.

Historia e shtyrjeve: Një vit, dy seanca ndaj rastit të Asdren Mekajt

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës në Prizren kundër të pandehurit Asdren Mekaj nën akuzat për kryerje të veprës penale të detyrimit, të kryer në vazhdim.

Aktakuza thotë që i pandehuri Mekaj gjatë periudhës kohore nga viti 2010 deri në fund të vitit 2013, ka përdorur shantazh dhe kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i japë të holla të gatshme dhe t’i blejë vetura të shtrenjta, sipas kushteve të cilat i pandehuri vetë i ka caktuar.

Në këtë mënyrë ai dyshohet t’i ketë sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro.

Fillimisht Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë për veprën penale të detyrimit dhe të shantazhit.

Por Gjykata e Apelit në gusht të vitit 2018 pas ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit Mekaj, avokati Besnik Berisha, ka hedhur poshtë pjesën e aktakuzës për veprën penale të shantazhit.

Në shqyrtimi fillestar Asdren Mekaj lidhur me akuzat e Prokurorisë Speciale ishte deklaruar se nuk ndihej fajtor.

“Në rastin konkret ndihem i dëmtuar dhe i mashtruar nga Pal Gruda dhe për këtë mashtrim është iniciuar edhe një kontest juridiko-civil pranë kësaj Gjykate”, kishte thënë ai.