ARKIV - Nga seanca e gjykimit ndaj Asdren Mekajt. Foto: Kallxo.com

Historia e shtyrjeve: Një vit, dy seanca ndaj rastit të Asdren Mekajt

Nga tetori i 2018 e deri më sot, 3 herë është caktuar seancë për fillimin e shqyrtimit gjyqësor, ndaj Asdren Mekajt i cili po akuzohet për veprën penale të detyrimit.

Ka kaluar 1 vit nga ngritja e aktakuzës nga ana e Prokurorisë Speciale, e janë mbajtur vetëm 2 seanca gjyqësore- shqyrtimi fillestar dhe shqyrtimi i dytë.

Nga praktika gjyqësore, këto 2 shqyrtime zgjasin mesatarisht nga 20 e deri në 30 minuta.

Por në 3 raste që janë caktuar datat e shqyrtimit kryesor, këto seanca kanë dështuar.

Fillimisht, seanca e datës 23 tetor në Gjykatën Themelore në Prizren kishte dështuar të mbahet sepse kishte munguar mbrojtësi i Mekajt, avokati Besnik Berisha.

Kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani kishte bërë të ditur se avokati Berisha e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të jetë prezent në seancën gjyqësore, pasi në të njëjtën kohë është i caktuar në një gjykim tjetër, në Departamentin për të Mitur.

Në atë seancë përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Tomë Gashi, dhe prokurorja e rastit ishin të të njëjtit mendim që rasti ndaj të akuzuarit për detyrim, Asdren Mekaj, të bashkohet me rastin e gjykimit për fajde të njohur si ‘Rasti Kqiraj’.

https://kallxo.com/lenda-e-asdren-mekajt-mund-te-bashkohet-ne-gjykate-me-rastin-per-fajde-ndaj-kqirajve/

Por kjo u refuzua nga kryetari i trupit gjykues dhe rasti Mekaj do të vazhdonte të gjykohej i ndarë nga rasti Tunë Kqira dhe të tjerëve.

https://kallxo.com/rasti-mekaj-ndahet-nga-rasti-i-tune-kqirajt/

Për të dytën herë, më 6 dhjetor ka dështuar të fillojnë të mbahen shqyrtimet kryesore, sepse paraprakisht përfaqësuesi i të dëmtuarve Zef e Pal Gruda, avokati Tomë Gashi, kishte dorëzuar parashtresë me të cilin kishte njoftuar se të dëmtuarit Zef dhe Palë Gruda, nuk mund të jenë prezent për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të njërit nga familjarët e tyre..

E kjo e detyroi gjyqtarin e rastit Xheladin Osmani të caktojë datën 29 janar për fillimin e gjykimit.

Por kur afroi 29 janari, KALLXO.com që e monitoron këtë rast kishte mësuar se seanca e caktuar në këtë datë është anuluar.

Kjo pasi që kryetari i trupit gjykues gjyqtari Xheladin Osmani i ishte drejtuar me një kërkesë Gjykatës Supreme, sipas njoftimit të gjykatës me ”kërkesë për komeptencë ”.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore Prizren, Afërdita Kicaj sqaroi për KALLXO.com se ”kërkesa e dërguar në Gjykatën Supreme – për kompetencën – ende nuk është kthyer ”.

Ndërsa datë për seancën e radhës nuk është caktuar pasi që do të pritet një përgjigje nga Gjykata Supreme se në cilin departament do të vazhdojë gjykimi ndaj Mekajt, atë të Përgjithshëm apo Departamentin e Krimeve të Rënda.

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prizren, kundër të pandehurit Asdren Mekaj nën akuzat për kryerje të veprës penale të detyrimit, të kryer në vazhdim.

Aktakuza thotë që i pandehuri Mekaj gjatë periudhës kohore nga viti 2010 deri në fund të vitit 2013, ka përdorur shantazh dhe kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i japë të holla të gatshme dhe t’i blejë vetura të shtrenjta, sipas kushteve të cilat i pandehuri vet i ka caktuar.

Në këtë mënyrë ai dyshohet t’i ketë sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro.

Fillimisht Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë për veprën penale të detyrimit dhe të shantazhit.

Por Gjykata e Apelit, në gusht të vitit 2018 pas ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit Mekaj, avokati Besnik Berisha, ka hedhur poshtë pjesën e aktakuzës për veprën penale të shantazhit.

Në shqyrtimi fillestar Asdren Mekaj lidhur me akuzat e Prokurorisë Speciale ishte deklaruar se nuk ndihej fajtor.

“Në rastin konkret ndihem i dëmtuar dhe i mashtruar nga Pal Gruda dhe për këtë mashtrim është iniciuar edhe një kontest juridiko-civil pranë kësaj gjykate”, kishte thënë ai.