Gashi: Pasiguria ekonomike fajtore që diaspora përballet me pritjet në kufi

Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi gjatë raportimit të tij para Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike ka bërë të ditur se frika e kompanive austriake për pasiguri ekonomike në Kosovë është fajtori që diaspora po përballet me probleme në kufi.

Mirëpo ka theksoi se në këtë drejtim kanë bërë disa lehtësime sa i takon procedurave si dhe kanë ulur çmimin në policën kufitare nga 50 në 15 euro.

Gashi tutje ka theksuar se në mënyrë që Austria të ndihmojë Kosovën për Kartonin e Gjelbër  si Qeveri u kanë propozuar kompanive austriake që në mënyrë që Austria të ndihmojë për Kartonin e Gjelbër, do marrin përsipër përgjegjësitë financiare.

“Vullneti i mirë po përfundon kur po vjen puna tek aspekti financiar dhe pasiguria e kompanive austriake me marr këtë rriskë. Ne u kemi ofruar edhe dje në emër të Qeverisë që ne jemi të gatshëm si Qeveri me hy si një lloj dorëzanie dhe nëse ka problem me pagesën në të ardhmen Qeveria të merr për sipër një lloj garancioni, dhe kjo është tentativa e fundit po shpresoj në aspekt pozitiv që të binden këto kompani që të marrin përsipër këtë pjesë. Ne kemi marr edhe me shkrim më duket ka dy javë prej Asociacionit të Sigurime të Austrisë përgjigjen negative pikërisht me këtë arsyetim të aspektit financiar”, ka deklaruar Gashi.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani ka kërkuar veprime konkrete nga ministri i Diasporës, Dardan Gashi sa i takon pjesëmarrjes së diasporës në votim.

“Një numri të madh kanë shprehur interesim të madh që të votojnë, pra një numri jashtëzakonisht të madh i është pamundësuar jo që nuk kanë pasur interesim por i është pamundësuar, tani kur dalin lajmet të tilla çdo ditë për pamundësim të shfrytëzimit të drejtës së votës, e drejtë e garantuar me Kushtetutë natyrisht që kjo dekurajon shumë të tjerë që do të mund të kishin interesim të aplikonin. Pra ne presim nga ministria juaj që të dilni me propozime konkrete dhe jo vetëm të pritet nga KQZ-ja që ata të rregullojnë diçka… E drejta politike e tyre është tani në portofolin tuaj presim nga ju që të merrni iniciativën kryesore me propozime konkrete se çka duhet të ndryshoj në ligjin për zgjedhje të përgjithshme, çka duhet të ndryshoj në ligjin për zgjedhje lokale, dhe çka duhet të ndryshoj në rregulloret e KQZ-së”, u shpreh Osmani.

E lidhur me këtë çështja ministri Gashi tha se KQZ-ja ka dështuar totalisht sa i takon dhënies së mundësive që bashkatdhetar të votojnë. Ai tha se disa herë i kanë dërguar shkresa KQZ-së, por që ende nuk kanë marr përgjigje, por ka ftuar partitë politike që t’i bëjnë presion këtij institucioni që të ndërmerr hapa konkret deri në momentin kur do ketë ndryshime kushtetuese.

“KQZ-ja nuk ka reaguar as në shkresat dhe konceptet që i kemi dërguar ne si ministri sa i përket përmirësimit të gjendjes, prandaj edhe bëra ftesën që edhe si parti politike bashkërisht të dalim me një dokument apo koncept edhe t’i ofrojmë ose të detyrojmë pra në këtë rast KQZ-në e cila është në shërbim të partive politike edhe sistemit politik që t’i ndërmarr këta hapa deri në momentin që të ketë ndryshimet kushtetuese sa i përket pastaj edhe pjesëmarrjes në kuptim të ulëseve”, ka deklaruar ministri Gashi.

Gashi ka thënë se ka marr vendim që të gjitha  Qendrat Kulturore që veprojnë në shtetet mike do të mbyllen sa më shpejt që është e mundur, pasi që sipas tij është e çuditshme se si qendra të cilat sipas tij  funksionojnë në mënyrë jo ligjore dhe nuk janë të regjistruara as si OJQ në vendet gjegjëse.

Deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha ka kërkuar sqarim nga ministri Gashi për regjistrimin e diasporës dhe ky i fundit ka thënë se procesi  fizik i regjistrimit ka përfunduar vitin e kaluar, por që tani është vetëm online.