Gjykata e Ferizajt - Foto: GjThF

Ferizaj, gjashtë vjet burg për ndihmë në grabitjen e bankës në Shtime

Gjykata e Ferizajt ka dënuar me 6 vjet burg të akuzuarin K.H, për ndihmë në grabitje dhe për mbajtje në pronësi, kontroll  ose posedim të paautorizuar të armëve.

Përpos dënimit me burg, kryetari i trupit gjykues Mustaf Tahiri dha edhe dënim me gjobë në shumë  prej pesëqind euro.

 Sipas Prokurorisë K.H akuzohet se në shtator 2019, si anëtar i grupit të armatosur, me dashje ka ndihmuar anëtarët tjerë të grupit dhe tre të pandehit tani të panjohur pas marrëveshjes paraprake për për grabitje në bankën “Raiffaisen” në Shtime, iu ka premtuar paraprakisht se do t’i fsheh provat e veprës penale, kryesit si dhe mjetet e përdorura për kryerjen e kësaj vepre penale.

I pandehuri A.K i cili gjendet në arrati, së bashku me tre të pandehurit tani të panjohur, të armatosur me armë automatike me maska të vendosura në kokë, kanë shkuar në Shtime tek filiali i bankës me ç’rast me një çekan kanë thyer derën e hyrjes së bankës dhe kanë depërtuar brenda, pastaj me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e punëtorëve të bankës me anë të armëve, kanë përvetësuar 2.540 euro dhe 290 franga zvicerane pronë të bankës.

Sipas Prokurorisë. më pas ata janë larguar nga objekti i bankës dhe kanë shtënë disa herë me pushkë automatike në mënyrë të pakontrolluar duke rrezikuar jetën e njerëzve dhe pasurinë e tyre dhe  kanë ikur në drejtim të fshatit Jezercë.

Gjithnjë sipas aktakuzës kur të akuzuarit arrinë tek një restorant kanë shkrepur edhe disa fishekë në drejtim të policëve që ishin në ndjekje të tyre, më pas kanë braktisur veturën duke e djegur tërësisht.

 Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar