Akuzohej se ia hapi varrin dy ditë para se të tentonte ta vriste dhëndrin, Gjykata merr vendim për të akuzuarin

Gjykata e Pejës e ka gjetur fajtor të akuzuarin Xh. B., i cili më 10 shtator të vitit të kaluar kishte tentuar ta vriste burrin e motrës së tij. Të akuzuarin Xh. B. Gjykata e ka dënuar me 10 vite burgim.

Dy ditë para tentim-vrasjes, Xh. B. sipas dosjes së Gjykatës e kishte përgatitur varrin për ta varrosur të dëmtuarin e për t’i fshehur gjurmët e krimit.

Kurse, natën kritike Xh. B. e kishte thirrë në telefon djalin e viktimës, duke e pyetur për prindin e tij, kinse po e merrte për të pirë një kafe.

Sipas dosjes së gjykatës, pasi i dëmtuari hyn në makinën e Xh. B., ky i fundit i thotë që t’i ndalin telefonat se mundet me i përgju dikush, pasi kishin shkuar për ta shikuar një armë.

Duke i’u shmangur rrugës kryesore, Xh. B. e dërgon në oborr të dëmtuarin duke e ulur në një cung dhe duke ia dhënë një armë për ta shikuar.

Në mënyrë dinake, Xh. B. nga prapa tenton ta vrasë duke i shtënë në kokë në pjesën e pasme mbi qafë, përshkruhet në dosje.

Si kishte arritur të shpëtonte i dëmtuari?

Në momentin kur ishte goditur me armë, i dëmtuari ishte rrëzuar dhe ishte paraqitur si i vdekur.

Kur Xh. B. mendon se ai ka vdekur largohet që ta fshehë armën, kurse ndërkohë i plagosuri arrin të largohet nga vendi i ngjarjes, duke shfrytëzuar rrugët nëpër livadhe e përrocka.

Kur arrin në një shtëpi kërkon ndihmë për ta dërguar në spital, dhe nga Spitali i Pejës e dërgojnë në QKUK-Prishtinë.

Xh. B. pritet ta vuajë dënimin prej 10 vitesh burgim pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit dënues, i shpallur më 17 tetor të këtij viti.

Trupi gjykues që mori këtë vendim përbëhet nga Nushe Kuka- Mekaj, kryetare, dhe anëtarët Arben Mustafaj e Petrit Nrecaj.

Veprat penale më të cilat Xh. B. u dënua janë “vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” dhe “mbajtje e paautorizuar e armëve”, nga aktakuza e përfaqësuar nga prokurorja Valbona Disha- Haxhosaj.

Kurse, të dënuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.