Kapi bashkëshorten për fyti dhe me kokën e saj goditi murin, babai i nëntë fëmijëve dënohet me 6 muaj burg

Gjykata e Mitrovicës ka dënuar me 6 muaj burg një burrë nga Vushtrria për dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Në vendimin e gjykatës që është dhënë më 19 janar, bëhet e ditur se më 16 prill 2022, rreth orës 19:30 në shtëpinë e tij S,M  i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore bashkëshortes së tij dhe ka goditur me shuplakë dy fëmijët e tij.

Në aktgjykim thuhet se në gjendje të alkoolizuar me 1,71% alkool në gjak, së pari fëmijët R.dhe S. i ka goditur me nga një shuplakë, e kur ka ndërhyrë bashkëshortja e tij e dëmtuara L. duke i thënë që mos t’i godet më, të njëjtën e ka kapur për fyti dhe me kokën e saj e ka goditur murin.

Nga këto goditje e njëjta ka pësuar lëndime të lehta trupore në formën e ndrydhjeve në pjesën e zverkut të kokës.

Vendimi vazhdon se pas kësaj, e dëmtuara ka ikur në shtëpinë e kunatit të vet dhe me çelës e ka mbyllur derën e hyrjes, por i pandehuri ka vrapuar pas saj dhe e ka thyer xhamin në derë.

Me këtë, sipas Gjykatës së Mitrovicës i pandehuri ka kryer veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Tutje, në vendim theksohet se në dënimin me burgim, të pandehurit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 16 prilli i vitit 2022 deri më 4 korrik 2022. 

I pandehuri, sipas njoftimit, ka deklaruar se dëshiron ta pranojë fajësinë dhe ka shtuar se nuk është dashur që fare ta prekë me dorë bashkëshorten e tij por që i vjen keq për atë se çfarë ka ndodhur, për më tepër për faktin se bashkëshortja e tij kujdeset për fëmijët dhe është i penduar shumë.

Ai ka shtuar se arsyeja se pse mendon që është përsëritur kjo vepër nga ana e tij, ka qenë sepse i njëjti është prind i nëntë fëmijëve dhe rrjedhimisht është tepër i ngarkuar, ndërsa nuk ka dëshirë asnjëherë që të ketë probleme.