Ilustrim

Sulmoi me stupc fqinjin pasi lopët e tij po i shkaktonin dëme në arë

Gjykata e Mitrovicës – Dega në Skenderaj, e ka shpallur fajtor të pandehurin R. M., për veprën penale lëndim i lehtë trupor.

Sipas aktgjykimit, i njëjti e ka sulmuar fizikisht fqinjin e tij pas një grindjeje të shkurtër në mes tyre lidhur me problemin që ka të bëjë me dëmin që po e shkaktojnë gjatë kullotjes lopët e të dëmtuarit, të cilat po hyjnë në arë.

Në vendim thuhet se viktima është goditur me stupc të drurit dhe prej goditjes është rrëzuar në tokë i tëri i përgjakur dhe me atë rast ka pësuar lëndime.

“Më datën 30.04.2021, rreth orës 13:45, fizikisht e ka sulmuar fqinjin e tij, në atë mënyrë që pas një grindjeje të shkurtër në mes tyre lidhur me problemin që ka të bëjë me dëmin që po e shkaktojnë gjatë kullotjes së lopëve të të dëmtuarit dhe të cilat po hyjnë në arën e tyre, i pandehuri R. M. me stupc të drurit (shkop) e ka goditur të dëmtuarin në kokë, prej të cilës goditje ai është rrëzuar në tokë i tëri i përgjakur dhe me atë rast ka pësuar lëndime në formë të plagëve shqyrëse në kokë-lëndime të karakterizuara si të natyrës së lehtë”- thuhet në vendimin e Gjykatës të datës 26 tetor 2022.

Për këtë, R. M. është gjykuar me dënim me burg nё kohëzgjatje prej 1 viti, i cili dënim me burg nuk do tё ekzekutohet nëse i pandehuri brenda kohës së verifikimit prej 2 viteve nga dita kur aktgjykimi tё merre formën e prerë nuk kryen vepër tjetër penale.

Në vendim thuhet se, i pandehuri R. M., u deklarua se e pranon fajësinë në tërësi për kryerjen e veprës penale për të cilën akuzohet.

“Shprehu keqardhje për rastin që ka ndodhur, i premtoi gjykatës se në të ardhmen do të jetë më i kujdesshëm dhe nuk do t’i përsërisë veprimet e tilla ashtu që, i propozoi gjykatës që ndaj tij të shqiptojë ndonjë dënim sa më të butë, duke shtuar së lidhur me veprimet e tij është penduar thellësisht për çka sinqerisht kërkoi falje duke theksur në fund se, me të dëmtuarin janë pajtuar dhe që nga ky rast nuk kanë pasur më probleme”- thuhet në vendimin e Gjykatës së Mitrovicës – Dega Skenderaj.