Qerim Ismailaj. Foto: Zëri i Amerikës

Kryetari Bashkisë së Mallakastrës dënohet me 4 muaj burg

Gjykata e Posaçme dënoi të enjten me 4 muaj burg Kryetarin e Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj, i cili u gjet fajtor për falsifikim të formularit të dekriminalizimit, duke mos deklaruar një dënim penal me tre vite burg në Greqi, në vitin 2000.

Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme dënimi është konvertuar në kryerjen e një pune në interes publik, prej 40 orësh, ndërkohë që është kërkuar nga gjykata që Ismailaj të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës.

Prokuroia e Posaçme kishte kërkuar dënimin me një vit burg të Qerim Ismailajt dhe konvertimin e dënimit me 150 orë pune në interes publik.

Pas vendimit të Gjykatës, Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj u tha gazetarëve “se do ta apelojë vendimin në Gjykatën e Posaçme të Apelit dhe do të vijonte detyrën, pasi vendimi i sotëm nuk kishte pasoja ligjore.”

Ismailaj u zgjodh kryetar bashkie i Mallakastrës për Partinë Socialiste në zgjedhjet vendore te 30 qershorit të viti 2019, ku opozita nuk mori pjesë me kantidatët e saj.

Partia Demokatike e opozitës publikoi në gusht të vitit 2021 dokumentet e dënimit në mungesë me tre vite burg në Greqi të Qerim Isamailajt, i përfshirë në vitin 2000 në “ një konflikt” dhe “përleshje”, sipas gjykatës greke dhe kërkoi shkarkimin e tij për mosdeklarimin e dënimit në formularin e dekriminalizimit.

Kryetari i bashkisë së Mallakastrës tha në atë kohë se nuk kishte qenë në dijeni të dënimit ne Greqi dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ndërpreu mandatin e tij.

Por Prokuroria e Posaçme nisi fundin e vitit 2021 hetime ndaj zotit Ismailaj për mos deklarimin e dënimit ne formularin e dekriminalizimit dhe e dërgoi çështjen në Gjykatën e Posaçme./VOA